Plagosja me armë zjarri mbrëmë në Prishtinë, dy të dyshuarit ikën nga vendi i ngjarjes

Një person ka mbetur i plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri mbrëmë në lagjen “Dardania” të kryeqytetit.
I plagosuri është dërguar në QKUK, ndërsa për dy të dyshuarit e këtij rasti, policia tha se kanë ikur nga vendi i ngjarjes,
Policia rastin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
“Rr. Isa Boletini Prishtinë 21.02.2025-19:55. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i plagosur nga arma e zjarrit. Viktima është dërguar në QKUK. Sipas dëshmitarëve, të dyshuar janë dy persona të panjohur të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin 24-orësh.
Për gjendjen e të plagosurit mbrëmë kanë folur nga QKUK-ja.
Shefi dhe mjeku kujdestar i Klinikës Emergjente të QKUK-së, Agron Çitaku, ka thënë se personi i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.
Sipas doktorit, atij i janë pastruar katër plaga që ka marrë nga arma dhe më pas është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë, në QKUK.