Pjesëtarë të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë po dislokohen në Kosovë
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) njoftoi se po e përforcon Njësinë Policore të Specializuar nëpërmjet dislokimit të përhershëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë.
Forca nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia u tha se do të punojnë krahë Njësisë, të siguruar nga Policia e Polonisë për të përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën.
Sipas EULEX-it, Njësia Policore pritet të mbërrijë në Kosovë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë.
“NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë – duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën. Ky do të jetë dislokimi i pestë i NJPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022”, thuhet tutje në njoftimin e EULEX-it.
Misioni i BE-së në Kosovë ka përsëritur se shërben si reagues i dytë në Kosovë. I pari është Policia e Kosovës, ndërsa KFOR-i i treti.