Pioli: Fillimi i lojës i komplikuar, e kemi mundësinë ta rikthejmë rezultatin

Pioli: Fillimi i lojës i komplikuar, e kemi mundësinë ta rikthejmë rezultatin

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka mbetur i zhgënjyer me paraqitjen e mbrëmshme të ekipit të tij dhe me rezultatin e disfavorshëm ndaj Interit.

“Rossoneri” u mposhtën me rezultat 0:2 në San Siro në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Pioli ishte kritik për paraqitjen e zbehtë të ekipit në pjesën e parë, ndërsa në atë të dytë Kuqezinjtë e morën veten, por kjo ishte e pamjaftueshme për ta rikthyer disavantazhin.

“Fillimi i lojës ishte shumë i komplikuar, ata ishin më precizë në aspektin teknik dhe të aftë për t’i fituar disa duele. T’i pësosh dy gola në këtë mënyrë, na krijoi vështirësi. Më pas, reaguam mirë duke e luajtur një pjesë të dytë të mirë, por nuk e gjetëm një gol i cili do të na mundësonte për ta rikthyer këtë rezultat”, deklaroi Pioli për “Milan TV”.

“Sinqerisht, do të donim të shënonim gol dhe ta rimerrnim lojën. Pas gjashtë ditësh duhet ta bëjmë një paraqitje të nivelit të lartë në fushë. Duhet të luajmë më mirë, e kemi mundësinë ta rikthejmë këtë rezultat. Do të flas me skuadrën, është normale që jemi të dëshpëruar. E donim një rezultat ndryshe, por duhet ta kemi dëshirën për ta përmbysur këtë rezultat negativ. Do të nisim gjithçka nga pjesa e dytë, ku luajtëm mirë”, vazhdoi trajneri i Milanit, i cili u ankua në referim, duke thënë se gjyqtari kishte standarde të dyfishta në fushën e blertë.

Pioli në fund uron që në ndeshjen e kthimit ta ketë në dispozicion edhe Rafael Leaon, i cili mungoi mbrëmë shkaku i lëndimit.

Shpërndaje në: