Pilulat kontraceptive ulin kualitetin e jetës

Pilulat kontraceptive ulin kualitetin e jetës

Një studim i fundit tregon se pilulat kontraceptive mund të ulin gjendjen e përgjithshme te gratë me shëndet të mirë.

Hulumtimi i Institutit Karolina dhe Shkollës së ekonomisë në Stokholm ka përfshirë 340 gra të moshës ndërmjet 18 dhe 35 vjeç.

Gratë përdorën pilula kontraceptive, të cilat përmbajnë ethniylestradoil dhe levonorgestrel, dhe pilula të rreme, përkatësisht ato që nuk kanë kurrfarë përmbajtje të ilaçit.

Asnjëri nga grupet nuk ishte në dijeni se cilin lloj të pilulës e morën, ndërsa u vlerësua se kualiteti i jetës i grave që përdorën pilulat kontraceptive ishte më i ulët se sa ato që morën pilulat e rrejshme.

Gratë treguan se pilulat kishin ndikuar në mënyrë negative në jetën e tyre, si në disponim, vetëkontroll, vitalitet dhe nivel të sigurisë.

Hulumtuesit theksuan se duke pasur parasysh se ndryshimet ishin relativisht të vogla, rezultatet duhet marrë me kujdes, por njëherësh studimi tregon se faktorët negativë në kualitetin e jetës te disa gra mund të jenë me rëndësi klinike.

“Nuk dëshirojmë që gratë të ndalojnë së marri kontraceptivët oralë për shkak të rezultateve të dobëta, por nëse gratë janë të shqetësuara për shkak të ndikimit negativ në disponim dhe kualitetin e jetës, ato duhet të bisedojnë me mjekun, pasi duhet të ketë edhe alternativa”, tha autorja e studimit Angelica Hirscheberg. Ko-autori i studimit, Niklas Zetraeus tha se efektet negative në disa raste mund të jenë edhe si pasojë e marrjes së parregullt të pilulave.

Shpërndaje në: