Pijet me sheqer rrisin rrezikun e vdekjes
Lengjet e gazuara dhe pije të tjera me sheqer mund të lidhen me një rritje të rrezikut për vdekjen e hershme, sipas një studimi të ri nga Universiteti i Harvardit. Hulumtuesit mblodhën informacione dietike nga më shumë se 100,000 profesionistë shëndetësorë dhe zbuluan se sa më shumë pije me sheqer të konsumoheshin në javë, aq më shumë gjasa kishte që përdoruesit të vdisnin gjatë periudhës që u zhvillua studimi.
“Këto gjetje janë në përputhje me efektet e njohura negative të konsumit të lartë të sheqerit në faktorët e rrezikut metabolik dhe dëshmitë e forta që pijet e ëmbla rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2, që është faktor kryesor i rrezikut për vdekjen e parakohshme”, tha bashkautori i studimit Walter Willett në një deklaratë.
Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që fëmijët të konsumojnë jo më shumë se gjashtë lugë sheqer të shtuar në ditë dhe vetëm një pije me sheqer në javë.
Ky studim i ri vuri në qendër të vëmendjes problemin dhe gjeti se sasia e lartë e lengjeve të gazuara çoi në më shumë probleme. Pirja midis dy dhe gjashtë pijeve me sheqer në javë rriti rrezikun e përgjithshëm të vdekjes për 6%. Një pije në ditë e rriti rrezikun me 14%; dy ose më shumë në 21%.
Ky studim përfshinte pjesëmarrësit midis moshës 35 dhe 75 vjeç, kur rreziku i vdekjes për popullsinë e përgjithshme është rreth 1 në 358 ose 0.28%.
Prindërit duhet të zvogëlojnë sheqerin dhe ta largojnë atë nga dietat e fëmijëve të tyre sa herë të jetë e mundur. Megjithatë, fëmijët tuaj nuk duhet të privohen totalisht nga pije shumë të dashura për ta si Coca Cola.
Këshilla më e vlefshme është: çdo gjë në sasi të moderuar.