Pesë përbërës ushqimorë që ndikojnë në rritjen e flokëve
Shumë prej nesh përdorin maska, vajra dhe serume për të ushqyer flokët dhe për t’i pasur sa më të shëndetshëm dhe me sa më shumë shkëlqim. Por a e dini se ajo që ju hani luan një rol të rëndësishëm?
Naturopatja Yohan Mannone thotë se: “Flokët pasqyrojnë gjendjen e trupit tonë.” Po, nuk ka të bëjë vetëm me atë që është e dukshme jashtë, por edhe gjendja jonë e brendshme ka po kaq rëndësi.
Ja pesë lëndë ushqyese që ju nevojiten për flokë më të bukur dhe më të shëndetshëm:
1. Zinku
Ky mineral është thelbësor për sintetizimin e keratinës dhe kolagjenit. Ai nxit rritjen e flokëve dhe forcon fibrat e tyre. Për një rritje të sasisë së zinkut, shtoni në menu midhjet, të verdhat e vezëve, mëlçinë e viçit, tërshërë, farat e kungullit, farat e susamit, majanë e birrës dhe arrat.
2. Hekuri
“Një element thelbësor i hemoglobinës është hekuri dhe ky përbërës është jetik për t’u dhënë flokëve oksigjenin që u nevojitet për t’u rritur,” thotë Mannone. Mëlçia e viçit, thjerrëzat, qiqrat, fasulet e zeza, spinaqi, arrat dhe majdanozi janë të pasura me hekur.
3. Omega-3
Omega-3 ushqejnë folikulat e flokëve dhe kanë një veprim anti-inflamator në lëkurën e kokës. Ato forcojnë flokët, i ushqejnë, parandalojnë rënien e tyre dhe përmirësojnë shkëlqimin dhe strukturën. Ju mund të gjeni omega-3 te sardelet, salmon, vezë, vajra bimore, fara liri, fara chia, arra dhe soje.
4. Vitamina B
“Vitamina B nxit prodhimin e keratinës dhe redukton brishtësinë e flokëve,” sipas Mannones. Ushqimet e mbushura me vitaminë B janë spinaqi, lakër jeshile, brokoli, mishi i viçit, pula, salmoni, toni, trofta, veza, qumështi, qiqrat dhe thjerrëzat, citon Anabel.
5. Proteinat
Flokët përbëhen nga mbi 90% proteina. Pra, është e rëndësishme të plotësoni nevojat tuaja për proteina çdo ditë. Për të rritur marrjen e proteinave, zgjidhni mishin e pulës, gjelit të detit, vezët, salmonin, farat e lulediellit, orizin integral, fasulet etj. /Telegrafi/