Personat më të shëndetshëm në botë nuk shkojnë në palestër
Nëse dëshironi të jeni sa më të shëndetshëm që është e mundur, atëherë për këtë nuk është i nevojshëm shiriti vrapues (treadmill-i) apo makinat për peshëngritje. Kjo nuk është vetëm fjalë – mjafton t’i analizoni personat me jetëgjatësinë më të madhe në botë.
Personat që jetojnë në vendet përreth botës ku është jetëgjatësia më e madhe nuk bëjnë peshëngritje, nuk anëtarësohen në palestër e as nuk vrapojnë maratona, transmeton Telegrafi.
Në vend të kësaj, ata jetojnë në ambiente që vazhdimisht i nxisin ata të lëvizin pa e menduar fare. Kjo nënkupton se ata merren me kopsht, ecin përgjatë ditës, etj.
Në fakt, hulumtuesit thonë se lëvizja rutinore natyrale është një nga mënyrat më të rëndësishme për ta rritur jetëgjatësinë – dhe është shprehi e zakonshme te personat që jetojnë gjatë.
Lëvizja natyrale përgjatë ditës mund të duket e kënaqshme dhe romantike, por realiteti është se 100 vite më parë vetëm 10% prej nesh kishin pasur puna që kërkonin qëndrimin ulur, ndërsa sot 90% e njerëzve kanë puna të tilla.
Sidoqoftë, ende ka mënyra të lehta se si mund të lëvizni më shumë pavarësisht ditës së ngarkuar që e keni.
Një nga mënyrat më të mira është përdorimi i një forme tjetër të transportit. Kjo nënkupton të ecni me fëmijët në shkollë, të ecni kur shkoni në dyqan apo kur dilni jashtë.
Madje, ju mund të udhëtoni edhe me biçikletë për në punë. /Telegrafi/