Personaliteti i Vitit 2021: Prindon Sadriu
Viti 2021 ishte një vit mjaft i mbrapshtë për Kosovën. Përtej pandemisë dhe vdekjeve që solli, pati edhe ngritje enorme të çmimeve të konsumit, pasiguri financiare, reduktime të rrymës dhe një përdhosje histerike të ‘ndryshimit’ e ‘shpresës’.
Në vend se të vinte ‘dita’, na erdhi një natë e ftohtë, pa rrymë, e që na bëri të gjithëve më të varfër se që ishim. Sidoqoftë, ‘dita’, ‘shpresa’ e ‘ndryshimi’ erdhën për një njeri të përveçëm, një burrë nga Gjilani me emrin Prindon dhe mbiemrin Sadriu.
“Prapa çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua,” – thotë klisheja e njohur seksiste. Në rastin në fjalë, seksizmi nuk ka vend sepse gruaja që i rrinte pas Prindonit ishte e është hiç më pak se presidente e Kosovës. Është fjala për znj. Vjosa Osmani.
Pse Prindon Sadriu është Personaliteti i Vitit 2021 nga Periskopi? Kujtojmë se në vitin 2020, Personaliteti i Vitit ishte Albin Kurti ndërsa më 2019 ishte Isa Mustafa.
Pse Prindoni?
Gjatë këtij viti, z. Prindon [kuptimi i emrit të të cilit nuk dihet], ka kryer një varg funksionesh. Filluar me atë më të njohurin: Zotëri i Parë! Po ashtu, ka kryer edhe funksionin e udhëheqësit të Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të Veriut. Dhe gjithashtu, edhe funksionin e Kolonel-Lejtnantit në ushtrinë e Kosovës.
Pra, gjatë këtij viti ai ishte njëkohshëm Zotëri i Parë, diplomat, ushtar dhe biznesmen. Kujtojmë që deri në momentin që po shkruajmë, një ditë vazhdon t’i ketë 24 orë, ose 1440 minuta. Nëse shumica prej nesh punojmë tetë orë [falë sindikatave të punëtorëve prej fundit të shekullit XIX], Prindoni duket se ka punuar nga njëzet orë në ditë.
Pse Prindoni?
Në bazë të deklarimit të pasurisë bërë nga znj. Vjosa Osmani, del se Prindoni ka edhe një pasuri marramendëse në emër të tij.
Ai është pronar i një shtëpie 150 metërshe katrorë për të cilën gruaja e tij konsideron se vlen 180 mijë euro. Ka edhe një shtëpi tjetër 130 metra katrorë që gruaja ia vlerëson 120 mijë euro. Ka edhe një banesë 67 metra katrorë që vlen 66 mijë euro [gjithnjë sipas gruas së tij]. Ka edhe një garazhë që vlen 5 mijë euro. Në anën tjetër, gruaja e tij e ka një parcelë toke [35 mijë euro], një banesë [40 mijë euro] dhe një garazhë tjetër [2500 euro].
Një nga këto shtëpi është në lagjen luksoze Marigona Hill, ndërsa një tjetër në Australinë e largët.
Prindoni i merr mesatarisht 708 euro e 30 cent për çdo muaj nga qiraja e shtëpisë dhe 3 mijë e 20 euro pagë mujore nga buxheti i Kosovës. Po të ishte president, do të merrte më pak.
Së fundi, ai bëri bujë në medie pasi kishte kërkuar t’i kompensohej një shumë prej 396 eurosh nga shteti pasi ishte infektuar me Covid.
Përsëri, pse Prindoni?
Në një lajm edhe më të fundit, Prindon Sadriu u raportua se kishte kërkuar që veturës private të babait të tij t’i lejohej vendosja e xhamave të zi. Kjo kërkesë i ishte dërguar ministrit Xhelal Sveçla.
Një gjë e tillë na tregon se si z. Prindon përveç që nuk ka përtuar të merret edhe me punët më të imta administrative që sjellin ndonjë privilegj, nuk ka përtuar të merret edhe me punë të tjera të imta administrative që sjellin ndonjë privilegj.
Por, natyrisht se një gjë e tillë nuk mjafton që Prindoni të jetë Personaliteti i Vitit 2021.
Atëherë, pse Prindoni?
Ftojmë lexuesit t’i mendojnë vet për arsyet e tjera! Ne besojmë që Personaliteti i Vitit nuk duhet të jetë thjesht personaliteti që ka arritur më së shumti suksese, apo që ka marrë më shumë vëmendje. Personaliteti i Vitit duhet të jetë i lidhur me natyrën e vitit për të cilin po flasim dhe se si e cilësojmë këtë vit duhet të ktheheni në fillim të tekstit për ta marrë vesh. /Periskopi