Personaliteti i vitit 2020 sipas Periskopit: Albin Kurti

Personaliteti i vitit 2020 sipas Periskopit: Albin Kurti

2020-a ishte një vit i çmendur. Politika, ekonomia e shëndetësia u lëkundën nga pandemia, dhe nga krejt rrjedhojat e saj. E ky vit i çmendur, në Kosovën tonë të vogël, e meriton si Personalitet të vitit një person që ia doli ta ndërronte karakterin e sferës publike nga mendja në ç-mendje.

Në vitin 2019, redaksia vendosi t’i ndante titullin e Personalitetit të Vitit, Isa Mustafës – që përkundër telasheve shëndetësore, dhe faktit se konsiderohej – me të drejtë – i harxhuar politikisht, ia kishte dalë të mbijetonte brenda partisë së tij, e madje të merrte edhe rol vendimtar në pushtetin qendror në Kosovë.

Përkulja e Kurtit ndaj Mustafës dëshmon rëndësinë e këtij të fundit më 2019

 

Por, viti 2020 bëri një përmbysje rrënjësore të rrethanave politike (dhe jo vetëm). Në pah doli “kalkulatori Kurti”.

Në fillim të muajit shkurt, pas 119 ditësh negociata të lodhshme ndër-partiake, Vetëvendosje dhe LDK arritën marrëveshje për koalicion qeveritar. Marrëveshja u nënshkrua nga dy kryetarët, Kurti dhe Mustafa, dhe ekzistonte (e ekziston) si tekst i shkruar dhe jo si fjalë në erë. E megjithatë, ekzistenca e saj u shpërfill vrazhdë dhe suksesshëm nga Kurti. Ajo që me konsensus mbarë-shoqëror ekzistonte, ta zëmë që bora është e bardhë, doli se me një fjalë goje mund të kontestohej dhe e kundërta ekzakte të bëhej e vërtetë (bora jo e bardhë). Dhe njerëzit të bindeshin për një gjë të tillë.

Bora e zezë në Siberi 😛

 

15 vjet angazhim në margjinat e politikës kosovare iu shpërblyen Kurtit, që ia doli më në fund të bëhej kryeministër. Por koalicioni qeveritar e kishte brenda një parti politike (LDK-në) me vetëm një deputet më pak në Kuvend – dhe me një peshë pushteti të barabartë brenda Ekzekutivit. Prandaj, megjithëse u bë kryeministër e u ul në karrigen që donte, Kurti nuk u bë kryeministri që donte të bëhej. Ai donte pushtet të pakufizuar si kryeministër, dhe prandaj iu rrek aventurës së kontestimit masiv të realitetit – dhe e cila gjatë vitit që po e lëmë pas për habi doli e suksesshme.

Pushteti mbi kujtesën

Njerëzit mund të mendojnë se kapja e pushtetit bëhet vetëm për ta shtënë në dorë të ardhmen [e të tashmen] e vendit. Në fakt, Kurti – i regjur mirë në taktika pushteti – për ta realizuar qëllimin e tij për t’u bërë kryeministër, provoi dhe ia doli ta shtinte në dorë edhe të kaluarën, që merr ekzistencë nga kujtesa e njerëzve.

Kurti ndryshoi radikalisht qëndrimet e shprehura po radikalisht dikur. “Jo Negociata, Vetëvendosje!” – mund të jetë parullë e shkruar mijëra herë në muret e ndryshme nëpër Kosovë. Por, ajo mbeti thjesht një shkarravinë e parëndësishme kur Xhelal Sveçla u pa në një tavolinë me Marko Gjuriqin në Tiranë dhe kur vetë Kurti po zgërdhihej me Ana Bërnabiqin që pak muaj më parë na quajti “njerëz që bukfalisht kanë zbritur nga mali”.

Na ishte një herë…

Pak njerëz e mbajnë mend po ashtu që Kurti kishte pranuar ta hiqte taksën 90 ditë para se ta vendoste Reciprocitetin përkundër premtimit publik pak kohë pasi u bë kryeministër.

Dhe përveç kësaj – pavarësisht akuzave të përsëritura pambarim se LDK-ja e kishte shkelur parimin e Reciprocitetit me Serbinë – doli se Kurti vetë e kishte premtuar një gjë të tillë – por, se i duhej pak më shumë kohë (sipas vetë Glauk Konjufcës).

Pak njerëz e mbajnë mend pastaj se ambasadori Richard Grenell po zhvillonte veçse përpjekjen e tij për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, para se Kurti të përdorte frazën “thika mbi harta”. Pra, do të kishte normalizim ekonomik të marrëdhënieve me Serbinë – pooor, Kurtit i duheshin vota, e prandaj krejt kjo përpjekje që filloi edhe para se Kurti të vinte në pushtet, tashmë nuk ekziston në sferën publike.

Ajo që bëri bujë të madhe, sidoqoftë, ishte prishja e raporteve historikisht të mira me ShBA-të. Opinioni në Kosovë është i ndarë në lidhje me çështjen se a është Kurti anti-amerikan. Por, Kurti ia doli ta përmbyste edhe një gjë të tillë, duke e akuzuar vetë administratën amerikane se nuk ishte amerikane.

A kishte apo s’kishte thika mbi hartën e Kosovës, kjo më nuk pati rëndësi.

Thikat e hartave

 

Lodhja e kundërshtarëve nga gjuha e urrejtjes

Ndoshta të lodhur prej sulmeve të vazhdueshme dhe kontaminimit ekstrem të debatit publik me gjuhë të urrejtjes dhe mosdurimit, kundërshtarët politikë të Kurtit u duk se nuk kishin më energji që të merreshin me të.

Duket se të gjitha partitë e mbetura po presin më me padurim se vetë Kurti ardhjen e tij në pushtet, që më pas të shohin edhe dështimin e tij në qeverisje. Natyrisht, një skenar ky që mund të jetë i dëmshëm për demokracinë dhe ekonominë e vendit. Dhe një dështim që nuk duket aspak i sigurt marrë parasysh fuqinë e tij për ta eklipsuar realitetin me makinerinë e jashtëzakonshme të propagandës.

Kurti derisa po merrte detyrën “hundë e buzë bashkë”

 

Përtej kundërshtarëve, Kurti lodhi edhe kritikët e tij duke ndërtuar vazhdimisht “gogolë” frikësues e poshtërues. Asnjë kritikë nuk mund t’i hidhej atij, sepse ishte në çdo rast i lidhur me Të Keqen e Madhe. Mos të harrojmë, në fillim e Keqja e madhe ishte PDK-ja, e më pas LDK-ja.

Marrë në përgjithësi ky ishte një vit i trishtë për Kosovën. Mbi 1 mijë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, gati të gjithë e pësuan keq ekonomikisht shkaku i karantinave dhe demokracia u rrënua nga rrënimi i arsyes në sferën publike. Në rastin e fundit, më së keqi e pësuan vetë aktivistët e zyrtarët e lartë VV-së, që shpesh u desh t’i ndërronin qëndrimet nga dy herë në ditë kur i ndërronte edhe Kurti – siç ndodhi edhe me Buxhetin e 2021-s.

Pra, 2020-a, viti më i keq në historinë e pasluftës së Kosovës, personalitet të vitit e ka Kurtit sipas Periskopit.

Shpërndaje në: