Përshëndetja e parë në gjuhën shqipe nëpërmjet ekranit televiziv

Përshëndetja e parë në gjuhën shqipe nëpërmjet ekranit televiziv

Gjithçka filloi në redaksinë e vogël të programit në gjuhën shqipe të vendosur në dy zyra në katin e katërt të Televizionit të Beogradit në rrugën e njohur “Takovska 10”, shkruan Bashkim Hisari, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Transmetimi i materialeve audiovizive në gjuhën shqipe përmes ekranit, pati jehonë të madhe dhe shënoi jo vetëm lindjen e Televizionit të Kosovës, fillesat e historisë së gazetarisë televizive në gjuhën shqipe, por edhe mbulimin e zbrazëtisë së madhe në jetën shoqërore, politike, kulturore, arsimore, sportive e të gjithëmbarshme të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë.

Pjesë e fillimit të madh dhe dhuratës për të gjithë shqiptarët ishim Gjeto Leka, Antigona Nimani, Sitki Imami e Ekrem Kryeziu. Fati e deshi qe edhe unë me dëshirën time të filloja të punoja me këta njerëz të angazhuar e të palodhshëm, duke sendërtuar një ëndërr të kahershme. Emisioni informativ 30 minutësh “Pasqyra televizive”, u transmetua nga studioja nr. 2 e TVB në rrugën “Aberdareva” nr.1 (ish-godina e “Avala filmit”). Dhjetë minutat e parë përfshinin lajmet më të reja nga vendi dhe bota, të përgatitur me përkthimin e lajmeve të Agjencisë së lajmeve Tanjug e të ilustruara me disa pamje “telop” ose “telephoto”.

Shpërndaje në: