Përse na mpihen gjymtyrët gjatë shtatëzanisë?
Mund të ndodhë që gjatë periudhës së shtatëzanisë të ndjeni mpirje tek duart e cila mund të shoqërohet edhe me humbjen e ndjeshmërisë tek gishtat, dobësimi të duarve, vështirësi në kapjen e gjërave, etj.
Kjo mund të shkaktohet si pasojë e lodhjes apo stresit mirëpo, rol të rëndësishëm në shfaqjen e këtyre simptomave kanë edhe hormonet të cilat shkaktojnë një mbledhje të ujrave në gjymtyrë (të cilat fryhen), duke bërë që nervat përkatës të mos kryejnë funksionin në mënyrën e duhur.
Mpirja e gjymtyrëve është një shqetësim i zakonshëm që prek gratë në shtatzani dhe fillon duke ndier dhimbje gjatë natës e cila përcillet edhe gjatë ditës.
Si të veprojmë kur na mpihen duart apo këmbët?
Nuk këshillohet marrja e kortizonikëve që reduktojnë dhimbjen, pasi ndikojnë në zhvillimin e fetusit.
Mund të merren vitamina të grupit B të cilat mbrojnë qelizat e nervave duke rritur ndjeshmërinë.
Masazhet do të kenë efekte pozitive, duke liruar muskujt e shtangur.
Por, nëse dhimbja është e madhe dhe nuk lehtësohet duhet të flisni me mjekun. Në disa raste ai mund të ndërhyjë për të liruar nervin e bllokuar, ndërhyrje e cila kryhet me anestezi lokale brenda një kohe të shkurtër.