Përplasjet e Presidentit Trump me Inteligjencën amerikane
Shkrim i përkthyer nga Periskopi, marrë prej Project Syndicate.
Përpjekjet e Presidentit amerikan Donald Trump për të zhdukur ankesat e një sinjalizuesi që i janë referuar Kongresit nga Inspektori Gjeneral i Komunitetit të Inteligjencës ofron një indikacion të hershëm për atë që mund të presim në fushatën presidenciale të vitit 2020. Nëse agjencitë inteligjente amerikane nuk e shtyjnë përpara Trumpin, do të bëhen Armiku Publik më i madh për bazën e tij të votuesve.
Shtëpia e Bardhë po provon të parandalojë Komitetin e Zgjedhur Permanent të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën nga këqyrja e ankesës së sinjalizuesit që detajizon përpjekjet e vazhdueshme të presidentit Trump për t’i bërë presion presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyt për hetimin e të birit të ish zëvendëspresidentit Joe Biden, i cili është kryesuesi i garës Demokrate për president. Marrë parasysh refuzimin e Trumpit për të bashkëpunuar, ky episod mund të përfundojë në një tjetër qorrsokak. Dhe sondazhet tregojnë që publiku po i heqë sytë nga dramat televizive të përditshme të administratës Trump.
Por, pavarësisht nëse skandali me Ukrainën mbetet në ballinat kryesore të gazetave ose jo, ai do ta përndjekë komunitetin e inteligjencës amerikane, që ka qenë bête noire [mospëlqyes] i Trumpit që nga dita që ky i fundit mori detyrën. Trumpi pa pushim ka sulmuar agjencitë e inteligjencës amerikane, pasi u miqësua me presidentin rus Vladimir Putin, dhe nxori sekrete te zyrtarët e huaj, potencialisht duke rrezikuar burime të vlerës më të lartë. Kjo sjellje tashmë ka ngritur shqetësime serioze rreth asaj nëse Trumpit mund t’i besohen informacionet sensitive të inteligjencës. Tash, liderët e inteligjencës mund ta pyesin veten se sa shumë mund të mbështeten te Shtëpia e Bardhë.
Nuk ka dyshim se Inspektori Gjeneral i Komunitetit të Inteligjencës, Michael K. Atkinson, bëri thirrjen e duhur kur rekomandoi që ankesa e sinjalizuesit të zbulohej para Kongresit. Referime të tilla janë prerogativa e tij para ligjit, dhe një dekadë e mbushur me precedente legale e mbështesin vendimin e tij. Megjithatë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire, po e bllokon referimin e Inspektorit Gjeneral, duke pretenduar që nuk përfshin çështje ‘urgjente’ të inteligjencës dhe se përfshin komunike të privilegjuara të komunikimeve, me nënkuptim te presidenti.
Me administratën dhe Kongresin në mosmarrëveshje dhe me hetimet në zgjerim për sjelljen e Trumpit, më shumë mohime nga Shtëpia e Bardhë, hipokrizi, e zvarritje janë të sigurta, siç janë edhe sulmet mbi komunitetin e inteligjencës. Në ndezjen e bazës së tij për fushatën e 2020, Trump do ta përdorë ankesën e sinjalizuesit për ta mbështetur pretendimin e tij që një “shtet i errët” mitik i është vënë pas. Me të vërtetë, ai e ka mohuar ankesën në fjalë si “partiake,” duke vënë në pyetje patriotizmin e zyrtarit. Thirrja e emrit i bën jehonë fushatës së tij më të gjerë të vrasjes së karakterit kundër zyrtarëve të inteligjencës dhe të forcave të rendit. Profesionistët në detyrë të inteligjencës kanë arsye të mira që të presin se do të sulmohen po ashtu.
Antipatia e Trumpit kundrejt agjencive të inteligjencës ka implikime të mëdha mbi sigurinë kombëtare të ShBA-ve. Inteligjenca Kombëtare, puna më e rëndësishme e inteligjencës në vend, mbetet vakante; nëse historia jep çfarëdo mësimi, më shumë zyrtarë të lartë do të tërhiqen para zgjedhjeve të vitit 2020, duke lënë edhe më shumë zbrazëtira. Për më shumë, Trumpi në vazhdimësi ka kërkuar që t’i mbush pozicionet kryesore të sigurisë kombëtare me aleatë politikë, të tillë si John Ratcliffe, një kongresmen i vogël nominimi i të cilit mund t’i shërbejë Inteligjencës Kombëtare, u tërhoq pas zbulimeve se e kishte falsifikuar rezymenë e tij.
Fushata e 2020-s do t’i bëj punët edhe më keq për komunitetin e inteligjencës. Dëshpërimisht për të demonstruar fuqinë dhe arritjet e tij, Trumpi do të jetë edhe më i pakujdesshëm me informacionet e klasifikuara. Në vitin 2017, ai komprometoi operacionet tepër sensitive izraelite të Inteligjencës në Siri duke përdorur ato që dinte pas vizitës që iu bëri diplomatëve rusë. Dhe në muajin e kaluar, talli Iranin duke postuar në Twitter një imazh tepër të klasifikuar nga satelitët spiunë të ShBA-së, të kompletuar me shënimet e detajuara të testeve të dështuara raketore të Iranit. Analistët e sektorit privat menjëherë e vunë re, se imazhi kishte një vlerë të jashtëzakonshme për kundërshtarët e ShBA-ve.
Spiunët amerikanë nuk mund dhe nuk duhet t’i besojnë Trumpit. Më herët gjatë këtij muaji, ne mësuam nga shumë burime se CIA ishte detyruar të eksfiltronte një aset tepër të rëndësishëm rus nga Moska në vitin 2017, pas shqetësimeve serioze se Trumpi mund të rrezikonte jetën e tij. Skandali me Ukrainën përforcon këto shqetësime, sepse sugjeron se Trumpi nuk do të hezitojë të injorojë interesat e aleatëve amerikanë dhe partnerëve të inteligjencës kur i përshtatet interesave të tij politike.
Vendimi misterioz i Shtëpisë së Bardhë për të tërhequr 400 milionë Dollarë ndihma për Ukrainën që i kishte aprovuar kongresi në të njëjtën kohë që po i bënte presion presidentit të këtij vendi, është shembulli më i fundit i kësaj që po them. Trumpi po ashtu ka mohuar testet raketore me rreze të shkurtër të Koresë së Veriut, edhe pse analistët e inteligjencës nga ShBA-të, Korea Jugore dhe Japonia i shohin ato si evidencë të rritjes së kapaciteteve të këtij vendi për të bërë sulme kundër Japonisë dhe Koresë së Jugut [dhe kundër forcave amerikane të stacionuara në këto dy vende].
Afera e Ukrainës po ashtu ofron një indikacion të hershëm se si Trumpi e trajton inteligjencës që kërcënon mundësinë për rizgjedhjen në detyrë më 2020. Hetimi zyrtar i Prokurorit të Përgjithshëm William Barr mbi origjinat e hetimit të 2016-s në interferencën zgjedhore të Rusisë jep shembull të përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të intimiduar zyrtarët e inteligjencës. Inteligjenca amerikane dhe agjencitë e sundimit të ligjit – përfshirë një raport madhor të FBI në muajin e kaluar – kanë paralajmëruar për sulme të tjera Ruse në zgjedhjet e vitit 2020. Këto gjetje i vënë në konflikt këto agjenci me Trumpin, që vazhdon të refuzojë që Kremlini e ndihmoi të zgjedhej president në vitin 2016.
Në analizat finale, aftësia e komunitetit të inteligjencës për të përmbushur funksionet adekuate nën kushte të tilla do të varet mbi liderët e tyre. Ishte po thuajse një gjysëm-shekulli që kur ish drejtori i CIA-s, William Colby, i hapi dosjet e agjencisë për investiguesit e Kongresit, pas pretendimeve se ishte angazhuar në spiunim të ndaluar. Edhe pse vendimi i tij ishte kontrovers në atë kohë, tash e dimë se mbrojti komunitetin e inteligjencës në krijimin e një sistemi evektiv të mbikëqyrjes.
Colby e përdori një kopje në miniaturë të Kushtetutës së ShBA-ve kahdo që shkonte. Sipas tij, CIA ishte pjesë integrale e demokracisë amerikane, që mbështetet në dhënien e përgjegjësisë. Ky është një mesazh që komuniteti i inteligjencës mund ta bëj të dëgjohet – pa u frikësuar që dikush prej tyre do ta pësojë.