Përplasja mes helikopterit ushtarak dhe avionit të pasagjerëve në SHBA, reagon Trump
Një përplasje ajrore midis një helikopteri të ushtrisë amerikane dhe një avioni pasagjerësh të kompanisë American Airlines ka shkaktuar një situatë të rëndë në aeroportin “Ronald Reagan” në Uashington.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar mbi ngjarjen përmes një postimi në platformën e tij “Truth Social”, duke e cilësuar atë si një incident që “duhej të ishte parandaluar”.
“Helikopteri po shkonte drejt një aeroplani për një periudhë të gjatë kohore. Është natë e kthjellët, dritat në aeroplan po flakëronin. Pse helikopteri nuk u ngjit, as u ul, as u kthye? Pse kulla e kontrollit nuk i dha udhëzime të qarta?” – shkroi Trump, duke ngritur pikëpyetje mbi menaxhimin e trafikut ajror.
Nuk është e qartë nëse deklaratat e presidentit bazohen në informacione zyrtare. CNN ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për më shumë detaje mbi këtë çështje.
Sipas raportimeve paraprake, në bordin e avionit ndodheshin 64 pasagjerë, ndërsa në helikopter ishin 3 pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin të paktën 19 trupa, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.