Përplasja me Qeverinë, Osmani: Telefonin hapur e mbaj gjithmonë, por propozimet e interesit kapital s’bëhen ashtu
Një propozim i momenteve të fundit i kryediplomates Donika Gërvalla-Schwarz në emër të Qeverisë së Kosovës për ta shkruar një Draft të Asociacionit në këmbim të bindjes së aleatëve për përkrahje në KiE ka rezultuar me një përplasje mes krerëve të shtetit.
Presidentja e Kosovës pasi s’ishte konsultuar fare për një propozim të tillë, kishte thënë se i njëjti e hedh në ujë letrën e tre krerëve të shtetit dhe gjithë punën e bërë. Gjithashtu Osmani kishte kritikuar faktin që kryediplomatja kosovare kishte bërë zotim duke e nxjerrë Asociacionin si të vetëm nga pakoja e marrëveshjeve.
Duke parë një acarim të tillë mes krerëve të shtetit, kryekuvendari Glauk Konjufca ishte munduar që të arsyetojë Qeverinë duke thënë se s’kanë arritur që të komunikojnë me presidenten Osmani meqë ka qenë në SHBA, arsyetim të cilin presidentja Osmani e ka quajtur qesharak.
Këtë temë sot e ka rikthyer një prej gazetarëve që e ka qenë pjesë e konferencës së presidentes Vjosa Osmani në Drenas. Pas përfundimit të fjalës derisa Osmani ishte drejtuar drejt derës për të dalë, një gazetar ka pëshpëritur “mbaje telefonin hapur”.
Osmani me një gjysme buzëqeshje derisa ecte për të dalë i është përgjigjur duke thënë se telefonin e mban gjithmonë hapur, duke shtuar tutje se propozimet e interesit kapital për vendin s’bëhen në një mënyrë të tillë.
“Telefonin e mbaj hapur gjithmonë, por propozimet e interesit kapital s’bëhen ashtu”, ka thënë Osmani sot në Drenas.