Përpjekja për të penguar më të keqen në Francë
Çfarë do të ndodhë sikur kandidati i majtë me kokë të vetën, Jean-Luc Mélenchon të vendosë që ta mbështesë kandidatin socialist Benoit Hamon? Sondazhet aktuale sugjerojnë se një aleancë e tillë në spektrin shumë të majtë politik në Francë do të siguronte një potencial prej rreth 26 përqind. Më shumë se do të merrnin për shembull konservatorët me kandidatin e tyre të cënuar, François Fillon. Dhe me sa duket edhe më shumë se do të merrte i preferuari i medieve, Emmanuel Macron – megjithëse me caktuesin e mbretit, politikanin e Qendrës, Francois Bayrou ai fitoi një aleat të rëndësishëm.
Në një rast të tillë, në zgjedhjen e pashmangshme të balotazhit në 7 maj do të qendronin para njeri-tjetrit populistja e djathtë Marine Le Pen dhe socialisti tepër i kuq Benoit Hamon. Programet ekonomike të të dy kandidatëve karakterizohen nga një shkëputje konsekuente prej realitetit francez dhe evropian. Make France great again? Me to me siguri që jo. Zgjedhësve do t’u duhej të zgjidhnin midis murtajës dhe kolerës, gjë që ndoshta do t’i jepte Le Penit një shans të mirë që të fitonte raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Infarkt! Vetëm Mélenchonit i dedikohet që ky skenar horrori me siguri do të mund të ndalet. Ujku i vjetër është po kaq kokëfortë, sa është edhe i majtë. Bashkëpunimi nuk është zanat i tij.
Ndaj Macronit nuk ka alternativa
Kjo do të thotë: francezët duhet (DUHET!) t’ia dalin mbanë që të dërgojnë në balotazh një kandidat, i cili të jetë i zgjedhshëm për konservatorët DHE për socialistët. Ndoshta duke e mbajtur të mbyllur hundën dhe sytë – por antipatia nuk duhet të jetë shumë e madhe! Me këtë skualifikohet Hamoni. Dhe në fakt edhe François Fillon-i. Kandidati i republikanëve vërtet ka rifituar pak terren në sondazhe, por kaskada e skandaleve lidhur me punësimin që ai i ka bërë së shoqes mbetet e pafalshme. Kështu mendojnë edhe shumë zgjedhës.
Me këtë mbetet vetëm Emmanuel Macron. Një gjë duhet thënë paraprakisht: 39 vjeçari nuk do të jetë në gjendje t’i plotësojë të gjitha ato, që presin mbështetësit e frymëzuar prej tij. Nëse ai është me të vërtetë Obama francez – siç pohon ndonjëri – ai do të jetë me siguri Obama i viteve të fundit. Megjithë qirinjtë e mjegullës që ndez, Macroni nuk mund të personifikojë zhdërvjelltësimin e shumëpritur të sistemit politik francez. Ai ofron verë të vjetër në shishe të reja, mbi të cilat vezullon emri i lëvizjes së tij të re “En Marche”. Është fakt: Macroni ka mbaruar shkollën elitare të kuadrove ENA, ai ishte ministër i një qeverie katastrofike të Hollande-s, ka qenë bankier në fushën e investimeve. Këto janë që të treja pëlhura të kuqe në Francë.
Pak Obama
Megjithëkëto ai mbetet përgjigja më bindëse ndaj Le Penit. Ai ka kuptuar se nuk ia vlen që të peshkosh në ujërat e turbullta të Front National për vota, siç bëri ish-Presidenti dhe ish-kandidati Sarkozy. Zgjedhësit e Marine le Penit gjithsesi duket se nuk perceptojnë asgjë që ndodhet jashtë sektit të tyre politik. Ata dëgjojnë Guru Marinen, e cila buzëqesh me ëmbëlsi dhe bën ndërkohë gati gjilpërën e helmit. Le Pen mund të mbështetet pa lëkundje te zgjedhësit e saj të përhershëm, edhe nëse organet e drejtësisë kontrollojnë zyrat e saj dhe drejtuesja e zyrës së saj paditet për shpërdorimin e 340.000 eurove. Marinen kjo nuk e prek.
Le të kthehemi te Macroni: në programin e tij miqësor ndaj Evropës, të hapur, midis së majtës dhe të djathtës, francezët mund të bëjnë shumë interpretime, ashtu siç u pëlqen. Në këtë kuadër ai është mjaft i turbullt dhe Macroni mund ta përdorë sharmën dhe historinë e tij personale si hapësirë projektimi. Këtu kemi pak Obama. Megjithatë, tonet e zemrës të Macronit në sondazhet e fundit janë bërë gjithnjë e më të dobëta. François Bayrou nisi nga ky shkak operacionin e emergjencës dhe e tërhoqi kandidaturën e tij. Kjo është një përpjekje stabilizuese, për ta penguar kabinetin e frikshëm të kandidatëve të tjerë, para së gjithash të Marine Le Penit. Fushata elektorale në Francë mbetet e hapur, megjithë këtë operacion./DW/