Periskopi padit politikanin serb Boban Bogdanoviq: Akuzat e tij përbëjnë kërcënim direkt për mediumin tonë
Mediumi Periskopi, ka përgatitur padi ndaj politikanit serb Boban Bogdanoviq, i cili më 30 shtator 2023, ka shkruar në rrjetin social ‘X’ se ‘mediumi ynë kontrollohet nga BIA’. “Në situatën në të cilën edhe ndodhet aktualisht Republika e Kosovës, ndërlidhja e drejtpërdrejtë e një mediumi kosovar me BIA-n, përveç tjerash, paraqet kërcënim dhe rrezik për stafin e mediumit’, ka thënë veç tjerash avokati Arianit Koci, i cili ka përgatitur padinë ndaj z.Bogdanoviq në emër të Periskopit.
Politikani serb, Boban Bogdanoviq, nëpërmjet një cicërime në rrjetin social ‘X’, më 30 shtator 2023, ka shkruar se ‘mediumi kosovar Periskopi kontrollohet nga BIA serbe’.
Periskopi nëpërmjet avokatit Arianit Koci, ka përgatitur padi ndaj z.Bogdanoviq për shpifje, nga e cila, konsiderojmë se mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për gazetarët tonë.
“Do të përgatis padinë për shpifje në emër të mediumit Periskopi në adresë të z.Bogdanoviq. Në situatën në të cilën edhe ndodhet aktualisht Republika e Kosovës, ndërlidhja e drejtpërdrejtë e një mediumi kosovar me BIA-n, përveç tjerash, paraqet kërcënim dhe rrezik për stafin e mediumit’, ka thënë veç tjerash avokati Arianit Koci.
(Foto: Avokati Arianit Koci)
Çka shkroi z.Bogdanoviq në rrjetin social ‘X’?
“Ky është një ‘deep-fake’ i publikuar për herë të parë në shkurt të këtij viti nga mediumi kosovar i kontrolluar nga BIA’ shkruan ky politikan serb në llogarinë e tij në rrjetin social ‘X’, duke nënkuptuar më tutje se Aleksandër Vuçiq e ka përdorur këtë video’ për ta sulmuar politikisht atë.
Z.Boban Bogdanoviq, i referohet një artikulli të Periskopit, të publikuar në shkurt 2023 bashkë me një video ku ky politikan ishte filmuar duke konsumuar substanca narktoike.
Periskopi, pas publikimit të kësaj video, ka pasur një seri korrespodencash me z.Bogdanoviq nëpërmjet adresës tonë në Facebook, reagimet e të cilit i kemi publikuar në vazhdimësi.
Në korrespodencat me z.Bogdanoviq, Periskopi ka sqaruar për publikimin e materialit ashtu siç kishte arritur në Redaksinë tonë, pa asnjë ndërhyrje, duke qenë se ndërhyrja në materiale filmike sipas pretendimeve të z.Bogdanoviq, tejkalon kapacitetet e mediumit tonë si dhe përgjatë viteve të ekzistencës tonë si medium, puna dhe angazhimi jonë është lehtë i qasshëm dhe i vërtetueshëm.