Periskopi inkurajon edhe mediet tjera që ta kopjojnë praktikën e saj të kthimit të komenteve
Tash e gjashtë muaj, gazeta më kreative në vend “Periskopi” ka filluar një praktikë të re të ndërveprimit në rrjetet sociale dhe e cila është kopjuar deri tash nga dy mediume tjera “T7” dhe “Klan Kosova”. Redaksia e Periskopit përveç që mirëpret kopjimin e tyre edhe inkurajon mediumet e tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë. Më poshtë keni arsyet!
Shumë lexues dhe monitorues të mediave janë ndjerë të çuditur kur kanë parë se faqja zyrtare e Periskopit në Facebook ka filluar të komentojë dhe replikojë në seksionin e komenteve në artikujt e shpërndarë prej saj.
Dikush mund të ketë menduar edhe se Periskopi është hakuar nga grupet e shumta të interesit që e sulmojnë. Por, JO!
Në fakt, derisa vazhdonte kukama për gazetarinë e shtypur konvencionale, Periskopi po kërkonte forma edhe më jokonvencionale të raportimit dhe afrimit me lexuesit e saj.
Por, cili ishte qëllimi prapa këtij veprimi?
Komentimi i jepte peshë më të madhe fjalës së komentuesve, e me këtë edhe sens më të madh të përgjegjësisë për pjesëmarrjen e tyre në debatet publike.
Shumë prej këtyre komentuesve përdornin e përdorin vazhdimisht fjalë eksplicite e të papërshtatshme për komunikimin publik duke abuzuar [ndoshta pa e ditur] me fjalën e tyre.
Barra e përfaqësimit dhe e bartjes së informacionit ka qenë krejtësisht te redaksitë tradicionale të gazetave. Por, gjërat kanë ndërruar rrënjësisht. Barra e informacionit tashmë është shpërndarë edhe te vetë qytetarët – të cilët po ashtu përmes llogarive të tyre në rrjete sociale funksionojnë si gazetarë dhe që përfaqësojnë narrativa të caktuara publike.
“Pikturat nuk përfaqësojnë më… sot është bërë roli i pikturës ta këqyr spektatorin dhe ta pyes: ti çka përfaqëson?” – thoshte surrealisti Wolfgang Paalen.
Po ashtu, Periskopi kishte parë ndër komentues edhe shumë profile të rreme që i shërbenin agjendave të caktuara të partive politike – e të cilët efektivisht po vjedhnin zërin e qytetarëve të vërtetë.
Dhe, meqë debati politik më zhurmues dhe i dendur ndodh pikërisht në rrjetet sociale, atëherë duhej që qytetarët të mësoheshin që ta shihnin se kush po jepte mendimin që po jepte.
Ne vazhdojmë të inkurajojmë qytetarët që kur shohin komente të caktuara të verifikojnë se a është profili i tyre i rremë apo i vërtetë. Profili i rremë duke u prezantuar si profil i vërtetë ka për synim të tregojë forcën e një mesazhi të caktuar [kryesisht politik] duke e rrënuar kësisoji vetë demokracinë tonë.
Prandaj, komentimi e replikimi afron gazetën me lexuesit e vërtetë të saj.
Funksioni i vetëm i gazetarisë nuk është dhe nuk duhet të jetë thjesht ofrimi i informacionit të verifikuar siç është mësuar vazhdimisht përgjatë viteve të okupimit në sistemin komunist.
Në fakt, funksion tjetër i gazetarisë është gazetaria shpjeguese e interpretative dhe animi i hapur kah çështjet e caktuara që luftojnë anti-demokracinë dhe shpërndarjen e urrejtjes e mos-durimit. /Periskopi