Përgjigje Kryeredaktorit Edi Rama dhe të zhgënjyerve nga debati me të!
Do të ishte për mua një çështje e mbyllur, po të mos ngriste edhe njëherë kokën vet Kryeministri i Shqipërisë dhe atë në një ditë uikendi. Sikur për t’i vënë kapakun krejt kësaj historie, Edi Rama, nuk përtoi dhe në eter lëshoi një Editorial në orët e vona të së dielës.
Një editorial të folur e mëpas shkruar dobët, një editorial ku kukuriste dhe kukaste si të ishte në faqet e “Përpjekjes” së Fatos Lubonjës në fillimvitet 90, dhe një editorial ku shpallte bankrotimin e shtetit ku vet është shef Qeverie. S’ka si të mos i thuhet kështu një teksti që nuk supozon, por konstaton: falimentimin e kastave politike shqiptare në komunikim dhe kastracionin e elitave intelektuale po shqiptare në studiot televizive shqiptare.
Elemente këto të cilat Edi Rama i sheh të kontrabanduara në kulturën e komunikimit në Kosovë. E që janë pikërisht ato që ai i kontrabandoi në Kosovë me zellin e një pubertetliu edhe të enjten në debatin e Klan Kosova. Përfundimisht.
Them se pikërisht këtu ai s’ka të drejtë, dhe pikërisht këtu ishte dallimi.
Sepse ishte kultura e komunikimit të Kosovës ajo që Edi Ramës ia dha meritën e fitores së atij Debati. Fitore e cila sidomos nga monologu i tij në fjalë del që s’i ka hyrë në punë aspak. Fitore kjo e cila atë e bën të ulet edhe njëherë dhe ta mendojë e sheh që diçka nuk shkonte, diçka nuk i është dashur, diçka nuk po i hyn në punë. As për vota, as për simpati, as për merita.
Gjatë dhe pas debatiti sikur edhe tash kur po e analizoj me ftohësi të plotë, ishte vetëm një gjë nuk do ia falja kurrë vetes nga debati me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama: shndërrimin në një kopje të tij, shndërrimin në një qenie arrogante e të frikësuar që në delirium fyen dhe shanë majtas e djathtas, pa u munduar që të jep edhe një argument të vetëm për atë që pyetej.
Kam qenë edhe atëherë dhe sidomos tash jam i vetëdijshëm: po ta kishim trajtuar Kryeministrin e Shqipërisë si një rrugaç, sikur duket se kërkojnë masat e internetit, dhe sikur bëri ai me trajtimin dhe sjelljen e tij ndaj nesh, dhe në fund, këtë mos e harroni, edhe ndaj auditoriumit televiziv- do bëheshin shumë tituj e do shkruheshin shumë vargje (heroike?) për ne. Por kështu do shndërroheshim në disa krijesa të vogla që për hir të një suksesi çasti do digjnim frymën e debatit tolerant, argumentues e të fuqishëm që, dhe këtë Edi Rama nuk e din, është i ngjizur në identitetin kulturor të Kosovës.
Identitet ky i kundërt nga ai më të cilin edhe mbijeton Edi Rama në shtetin e tij. Aty pra ku zhurma është jetë, fyerjet janë ajër dhe “show” programet politike janë bazare që qeveritarëve u mundësojnë që të papenguar të jetojnë në parajsat personale ndërkohë që shteti të cilin ata e drejtojnë është më i varfëri, më i korruptuari dhe më i kriminalizuari në Evropë!
Për këtë shkak jo që nuk kemi qenë të papërgatitur, por të përgatitur mirë e të duruar mjaftueshëm. Dikush i kishte numëruar: në të paktën 27 pyetje ai nuk u përgjigj- dhe po aq shqetësime të ngritura që nuk morën asnjë përgjigje- ndonëse kërkuam disa herë. Nëse ishin ato të duhurat dhe nëse ndonjë ishte pa vend është një çështje tjetër që secili ka lirinë ta vlerësojë. Por në tërë këtë “shitstorm” ishin vetëm disa, një pakicë absolute ajo që vendosi t’i përmend disa çështje që nuk u ngritën- dhe kishin të drejtë. Në fund ju siguroj që ajo çka do të peshojë në jetën e secilit janë çështjet të cilave Rama nuk u dha përgjigje e jo epitetet personale. Ato do t’i merr me vete era, por jo edhe çështjet që mbetën pa u përgjigjur si interkoneksioni që po na rri i ngrirë, zhvillimi i përbashkët ekonomik e klima e përshtatshme për bizneset tona atje apo edhe këto këtu si dhe mungesa e një sensi për zhvillim ekonomik e dalje nga varfëria.
“Lufta” megjithatë nuk ishte këtu.
Ishte krejt diku tjetër- tek dallimi kulturor dhe fryma e debatit që politikanët duhet t’i mbajë të përgjegjshëm, por jo edhe t’i nxjerrë të fyer- e që e them me trishtim për momentin mbeti e pahetuar nga masat.
Këtë dallim duhet bërë edhe atëherë kur të gjithë të dalin kundër, edhe atëherë kur opinioni të godet si rrufeja, edhe atëherë kur kjo të merret si një dobësi.
Kritikat i duroj. Secilën dhe deri në fund. Disa me kreativet që vijnë si ilustrime, veçanërisht më bëjnë të jem edhe më kokëfortë për të mos prishur edukatën, kulturën dhe me këtë identitetin tonë- që në Shqipëri zor se e gjen: mirësjelljen!
Kosovën asnjëherë nuk do ta bëjmë të bukur, duke importuar shëmtitë që e kanë lodhur edhe vet Shqipërinë, dhe që në tekstin e së dielës ai tenton t’i zhdukë, ndonëse vet ka pasur një rol udhëheqës në ndërtimin e tyre! Edhe kur ishte artist, edhe kur u bë publicist- e politikan po se po. Në opozitë me plot premtime dhe në pozitë me edhe më shumë delire dështimesh!
Edi Rama s’ka pasur nevojë as natën e debatit dhe as në editorialin e tij të së dielës të mishërojë e aq më pak lëngojë, por para së gjithash të mos e bëjë plakun Mere që sheh “fundin” e mediave elektronike. S’i shkon as një ish-artisti dhe Kryeministri që ngado që shkon me vete merr edhe ndonjë pikturë apo promovon ndonjë libër (si në Beograd së fundmi!) dhe aq më pak s’i shkon kohës në të cilën ai jeton. Apo s’po e këshillojnë që epoka e medias digjitale vetëm sa ka nisur.
Për Edi Ramën duket që ajo epokë ka përfunduar në çastin që ai mori postin që e mban.
Gjynah për të. Dhe gjynah për krejt kohën që po e harxhon në këtë strehë të padinjitetshme në të cilën duket që ka vendosur të rrijë derisa ta durojë veten apo mosdurojnë tjerët. Por para së gjithash, derisa ajo, koha që po e jetojmë, t’ia tregojë se ku e ka vendin.
Dhe vendi i tij do të jetë, po të vazhdojë kështu, në fiokat e errëta të historisë- pikërisht si miqtë e tij të inskenimeve të puçeve (Erdogani në njërën anë e Vuçiqi në anën tjetër!)- të dy këta mjeshtër në manipulimin apo edhe shtypjen e mediave.
Mos u çuditni, por dëshpërohuni sepse krejt historia na ka shkuar mes turqve dhe sllavëve: “Basbakan”-ëve dhe Tzsar-ëve!
Edi Rama- asnjë traditë s’po e thyen, fatkeqësisht.
Shkruan: Astrit Gashi