Përfundon procesi zgjedhor në Washington dhe New York
![Përfundon procesi zgjedhor në Washington dhe New York](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/m-2-600x360-1-500x300.jpg)
Ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata në New York, janë të fundit në të cilat ka përfunduar procesi zgjedhor.
Bashkatdhetarët patën të drejt të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve.
Por, për shkak të dallimit të kohës lokale, ato në SHBA u hapen të fundit, për t’u mbyllur kësisoj të fundit.
“Falënderojmë të gjithë që votuan sot si dhe ata që kanë zgjedhur votimin përmes postës, ndërkaq mirënjohje të thellë për të gjithë kolegët e përfshirë për bashkëpunimin, punën e palodhshme dhe profesionale duke mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Ambasadën në Washington të drejt vote patën 78 shtetas të Republikës së Kosovës, ndërkaq në Konsullatën në New-York, të drejt vote patën 619 bashkatdhetarë.
Kjo është hera e parë, që qytetarëve të Kosovës, iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të dhënat e fundit të KQZ-së, 71.16 përqind e votuesve të regjistruar për votim (14 mijë e 463) në Ambasada/Konsullata kanë ushtruar të drejtën e votës, pa llogaritur ata në ShBA.
Po ashtu edhe mijëra mërgimtarë kanë votuar edhe përmes postës, në ditët e kaluara.