Përfundon investimi 1.4 milion eurosh në unazën në Pogradec dhe aksit në Qafë Plloçë

Përfundon investimi 1.4 milion eurosh në unazën në Pogradec dhe aksit në Qafë Plloçë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor shqiptar, Afrim Qendro dhe deputetin Eduard Shalsi inspektuan përfundimin e investimit për rehabilitimin e plotë të Unazës së Pogradecit dhe aksit që lidh qytetin deri në krye të Qafës së Plloçës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se investimi i kryer nga Autoriteti Rrugor Shqiptar arrin në vlerën e 1.4 milion euro dhe përfshin një segment me gjatësi totale prej 5.5 kilometrash.

“Në unazën e qytetit që përkon dhe me rrugën nacionale janë kryer punime të plota nënshtresash rrugore dhe asfaltike, kunetat dhe kanalet nëntokësore të kullimit të ujërave të shiut, riparime në trotuare dhe sinjalistikë e siguri rrugore me të gjitha elementët. Ndërkaq, në aksin nga dalja e Pogradecit deri në krye të Qafës së Plloçës është investuar për punimet e tapetit asfaltik, punime në kanalet e kullimit të ujërave të shiut dhe elementët e plotë të sigurisë rrugore”, thuhet në komunikatë.

“Ka përfunduar 5.5 kilometra rehabilitim nga të cilat 2.1 kilometra janë brenda qytetit të Pogradecit, pjesë e aksit kombëtar. Ka qenë një rrugë në gjendje shumë të keqe, është përmirësuar dhe rehabilituar plotësisht. Për herë të parë pas 25 vitesh mbyllet edhe halli i madh i Qafë Plloçës, në një gjatësi prej 3.5 kilometra që tanimë është me të gjitha elementët, me paketën asfaltike dhe sidomos me sistemin e kullimit të ujërave”, u shpreh Qendro.

Gjiknuri tha se pas përfundimit të rrugës piktoreske Lin-Pogradec, tanimë vjen një tjetër vepër e rëndësishme.

“Jemi në harmoni me programin e plotë të infrastrukturës kombëtare, ajo vëmendje e qeverisë që do të shtrihet në dy drejtime. Së pari, përmirësim i gjithë rrjetit ekzistues dhe kjo ndërhyrje është pjesë e këtij programi. Gjithë rrjeti ekzistues rrugor do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje të thellë në mirëmbajtje. Së dyti, investime në segmente të reja rrugore gjë që po ndodh dhe janë hapur disa kantiere të reja. Do të përfundojmë edhe ato të nisura dhe jemi të bindur se brenda këtij katër vjeçari siç kemi marrë angazhimin, infrastruktura kombëtare do jetë e plotë dhe e sigurt”, tha Gjiknuri.

 

Shpërndaje në: