Përfundon intervistimi i Ridvan Muharremit nga Prokuroria Speciale
Periskopi ka raportuar nga mëngjesi se Ridvan Muharremi, i njohur si “Ridi” është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore.
Tashmë intervistimi ka përfunduar, ai është larguar nga objekti i Prokurorisë Speciale, ndërsa nuk ka pranuar të deklarohet për media.
“Hiç nuk po du me u përgjegj.”- citohet të ketë thënë Muharremi para gazetarëve.
Për media nuk është deklaruar as avokati i Muharremit, Muhamet Halimi.
Periskopi nga burimet e veta, ka raportuar gjatë ditës së sotme se Muharremi i cili është mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti, do të intervistohet për skandalin me rezervat shtetërore.
Ai njihet si pronar i restorantit “Bukë e Zemër”, madje, lokalin e Ridit, Kurti e kishte vizituar edhe me emisarin Miroslav Lajçak.
Ai ishte angazhuar nga Qeveria për të gjetur kompanitë nga ku do të bliheshin mallrat për rezervat, por përkundër se pagesat u kryen, një sasi e konsiderueshme nuk erdhi asnjëherë.
Madje, një kompani polake nga ku kishin blerë sasi të ndryshme pasi u pagua u zhduk meqë konsiderohet se është një kompani fantomë./PERISKOPI