Përfundimi i afatit për konvertimin e patentë-shoferëve, Elshani: Nga e hëna gjobat

Përfundimi i afatit për konvertimin e patentë-shoferëve, Elshani: Nga e hëna gjobat

Dje ka përfunduar afati ligjor për konvertimin e patent-shoferëve ilegalë në të Republikës së Kosovës. Numri i aplikimeve është 6 mijë e 509. Por, çfarë do të ndodhë me ata që nuk kanë aplikuar për konvertimin e patent-shoferëve?

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se gjatë fundjavës policia do të jep vërejtje në rast se has në persona me patent-shofer ilegal, e të hënën nga ora 08:00 do të fillonjë me procedura kundërvajtëse.

“Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme”, deklaroi Elshani.

“Në rast se hasim dikë që ka rast emergjent, ne e përcjellim deri në spital. Nëse është dikush që nuk ka patentë shofer, është tiketa e cila shqiptohet për gjykatë 500-1500 euro (pastaj varet se sa e shqipton gjykata dënimin), sillet një person tjetër me patentë shofer valid për ta ngarë atë veturë dhe vazhdon rrugën ose duhet ta largojë veturën nga rruga. Është procedurë normalë që shqiptohet çdokund”, shtoi ai.

Elshani ka deklaruar se nuk presin ndonjë problem në terren. Ai tha se situata e sigurisë në veri është e qetë.

“Situata e sigurisë ne veri është e qetë, është delikate marr parasysh zhvillimet politike që ndodhin. Por për ne është me rëndësi që në rast se ndodh diçka, të kemi mundësi të reagojmë, gjithnjë duke mbajtur në mend që ne jemi këtu për të ofruar shërbim dhe ta mbrojmë popullatën sikurse në Pejë, Gjilan, Prizren, Prishtinë e kudo tjetër”.

“Ne jemi këtu në secilin vend. Për ne është me rëndësi që nuk ka zonë që ne nuk ecim, nuk lëvizim, nuk hyjmë e nuk ndërhyjmë nëse ka nevojë, e në rast se ndodh diçka, do të shohim se si të reagojmë”, tha Elshani në Klan Kosova.

Shpërndaje në: