Për Shëndetësinë, “Plemya”-n, jashtësinë dhe Sigurimet Shëndetësore
Është në natyrën e komunionit të spitalit mpleksja në pafuqinë e barabartë në të cilën lënguesve përnjeherë u ndodh të përfshihen. Kjo përfshirje në fatin personal (potencialisht drejt finalizimit të vetë jetës), çon në krjimin e disa relatave, që mund të prekin edhe lidhje imunitare, reciprokisht ndihmuese. Pafuqia. Barabarësia. Fati. Final. Lënguesi. Këta shenjues në fakt janë vetë krijuesit e komunionit brenda një qendre spitalore. Pacientët ndihmohen vëllazërisht mes vete, shpesh edhe në kushte të tretmaneve më të këqija sanitare. Në të tilla relata e lashë edhe nënën teksa dola për ta bërë këtë shkrim.
E megjithatë ka edhe relacione tjera. Regjisori ukrainas Myroslav Slaboshpytsky na jep tek filmi “Plemya/”The tribe” (2014) një shembull alternativ pacienti: atë të fuqishëm, e më pas edhe të drejtë. Së pari, një tufë shurdhmemecësh në një qendër shkollore/spitalore na del si një bandë që terrorizon brenda e jashtë, derisa “i rekrutuari” i fundit nuk vret dy kryesorët e bandës. Tek filmi, për pak sa s’përmbyset rendi shopenhauerian i shëndetit si fuqia kryesore e njeriut, ai disiplinar (Foucault), apo edhe, hajde të themi, ai lutjes si epigram falendërimi mbi atë që “ti ke e tjetri s’ka”, mesazh që e buçet Feruhzad tek “House is black” (një krahasim i “House is black” i Feruhzadit me “Plemya-n” do të ishte fantastik) – kur privimi shqisor i adoleshentëve shurdhmemecë konvertohet në forcë reale: shurdhmemecë të tërë bëhen dhunues, vjedhës, trafikantë seksi, kryejnë gojore publikisht, krejt këto derisa shurmemeci i rekrutuar së mbrami s’pëlcet me tërë atë që i vlon në gji: me revoltën e tij personale, hakmarrëse ndaj pjestarëve të llojit. I privuari shqisor vret dy kapot e bandës të cilët edhe e kishin rekrutuar që në ditën e parë të nisjes së shkollës, meqë në njëfarë forme nuk ia lejon vetes që të metën shqisore ta kthej në armë për të dhunuar, e pë t’u “shpaguar” me të tjerët.
Vrasja që heroi ynë bën, është edhe grusht mu në zemër davaritjes së institucionit. Adoleshenti shurdhmemec vret dy shokët e tij, bashkëpjestarë të bandës brenda objektit shkollor-spitalor, meqë konsideron se u teprua me padrejtësi (huliganizëm, hajni, zhvatje njerëzish, dhunime të aty-ketushme shoqeve shurdhmemece etj). I mbytur ftohtë, siç është edhe vetë vdekja, siç është edhe vetë filmi: asnjë fjalë e vetme a titrim, pos zëra, gjestikulime e mimikë shurmemecësh. Aq më tepër e bën në një objekt që Foucalt e Stiener ia atribuojnë veçse mërzinë: shkollë-spital. E bën në mëngjes dhe me dollapë të tyre personal. Të shurdhërit nuk ndjejnë futjen në dhomë të të shurdhurit vrasës. E frikshme apo jo? Po, por vetëm në shkurtësinë e akt-kryerjes. Plemya, rodi, familja banditeske, e krijuar brenda shkollës-spitalit nga disa të mangët në dy shqisa por dominant në të tjera shqisa, vdes. E me ta vetë, për mua, edhe vetë ideja e institucionit të korrektësisë.
Por a ka vdekur “Plemya” kosovare e shëndetësisë? “Plemya” e vrasjeve “postmoderne”. “Plemya”që s’vret me dollap, por me shtrat pa mbështetës ku të mbahet jastëku. Me mungesë barnash e shiringash – e me detyrim pacientit t’i blej vetë. Me barnatore me çmime më të shtrenjta brenda kampusit se sa jashtë. Me derxhje në pritje për vendime doktorësh e ku sy e më sy sheh se si pacienti tjetër ia del mbanë vetemse dikush i tij njeh mjekët, apo “ua lag fytin” mjekëve. Me marrje gjaku që Laboratori (privat natyrisht) ta refuzon të parën herë meqë është hemolizë (thyrje e rruzave të kuqeve të gjakut gjatë marrjes), përcjell nga këshilla e laborantit që të mos gabohet me marrje gjakut në vendin ku ndodhet kanila. Me cenzorë të dobët liftësh. Me thumbime me fjalë deri edhe nga teknik/e praktikantë. Jo. “Plemya” kosovare s’vdes pikërisht sepse gjenaologjikisht është jashtësi. Ajo s’është brenda-revoltë që ta vdesë dikush nga brenda vetëm pse e do më shumë drejtësinë se sa shpagimin. Jo ajo është e jashtësi rrethekuese e shëndëtesisë, njëjtë sikur mjekët serbë të spitalit të veriut përreth shqiptarëve të plagosur mbi tavolina në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000.
Por ç’e do kur Grabovci do shpagim. “Ni dajë keq J”. Ndaj edhe makinacionet me dorëheqje të currgjocajve, e të dajallarëve të këtyre ditëve s’janë veçse hajgare. “Plemya”, rodi, daja, famiglia, s’ka vdekur sepse ajo s’ishte kurrë revoltë e brendshme (jo rastësisht tek ne më 1981 u ngrit Menza me frikën nga helmimi e jo QKUK-ja për vdekje reale a sterelizime grash). Curr Gjocaj, Uran Ismajli në frymë të kohës e pasojnë atë që është brumosur në jashtësim: sistemin shëndetësor jugosllav. Për ironi në lokalin që për pronar ka snobin Ismajli, tashmë Ministër, u humb gati e pagati me motive apartheidi një jetë (iu kërkua largimi nga lokali pse kishte porositur Fantë). Pse kur kemi pyetur ndonjeherë mbi çfarë kriteresh u ngrit ai sistem?
Vetëm një shembull: thuhet se kur i kishin pas thënë doktor Ali Sokolit të nënshkruaj “vdekjen e natyrshme” të Fazli Grajçevcit (i tortuar deri në vdekjen përfshirë edhe gjilpëra mes thonjësh), ai nuk kishte pranuar. E si mund ta kuptosh gjendjen tonë në mjekësi pa e ditur historikun e saj. Kush i investigoi vrasjet e QINDRA ushtarëve shqiptarë në APJ? A u soll në Morg të QKUK-së Metush Krasniqi më 1986 kur akoma s’kishte Millosheviq dhe pse nuk bëri dikush morg jetën atyre që morgun e kthyen në “gomë rrëshqitëse” supermarketesh kryekput me shqiptarë. Morgu dhe fletëlëshimi i vdekjes janë shenjues paradigmatik të politikave pushtetare, meqë japin verdikt mbi dikë që tashmë s’mund të kundërshtojë. Pastaj, ç’mund të thotë një ekologjist, hiç më shumë se mediokër, për afrinë hapësinore të Ngrohtores së Termokosit me QKUK-në etj, etj.
QKUK-ja kosovare s’di të ketë perjetuar revoltë të ngjashme. Ka përjetuar objekti pak më lart tij: Menza e Studentëve më 1981, kur dikush nga studentët u kujtua se MUND të helmohej dhe të përfundoj në spital. Por revoltë të hospitalizuarëve me kujtesën se se MUND të vdesin nga nonshalanca, ky vend nuk njeh as 36 vite pas 81-tës. Mu këtu konsiston edhe gjeneaologjia e alokimit të parave për veteranë e jo për Sigurime Shëndëtësore. Paraja u ipet atyre që kanë koqe pra, jo të mekurëve, të plogështëve, të ekspozuarve ndaj fatkeqësive. A nuk na ka mësuar Malthusi se ata duhen hequr qafesh?
Ndaj edhe gjashtë vite pas nëntorit 2011, prejkur më pati rënë të qëndroja 17 ditë në QKUK për 48 orë pashë vetëm një përparim të vetëm: higjienën më në nivel. Por higjiena si për inat të Sartrit, në një masë vije nga vetë natyra njerëzore: paduria ndaj gërrdisë. “Lëre ashtu siç dëshiron ta gjesh” është një mesazh famoz në WC-të deri edhe të mejhanave më të lodhura.