Për Palestinën, Reçaku e Prekazi ishin çështje e brendshme serbe

Për Palestinën, Reçaku e Prekazi ishin çështje e brendshme serbe

Përtej diktaturës së korrektësisë politike, nuk e di, fatmirësisht apo fatkeqësisht, politika ende funksionon mbi premisën e binomit shmidjan mik-armik.

Ende nuk e kemi një qasje tjetër politike në raportet e shteteve ndërvete. Ose je me mua ose je kundër meje, të ndërmjetme nuk ka. Palestina është kundër pavarësisë së Kosovës.

E kuptoj ndjeshmërinë njerëzore për çfarëdo të keqe që i ndodh dikujt, por “ndjeshmëria” jonë me Palestinën është pak më komplekse se që provohet të shitet.

Dhënia e hapësirës ekskluzive në publiken tonë të konfliktit atje, dhe gatishmëria që prononcimin për Palestinën gjithsesi ta përjetojmë si obligim, tregojnë që janë ngjyra ideologjike dhe jo parime etike.

Përse nuk pyesim dhe problematizojmë “drama” të tjera gjithandej dynjasë që po ndodhin dhe gjithmonë preokupimin për marrëdhëniet ndërkombëtare e kemi iluziv dhe në disproporcion me takatin tonë politik duke e lënë vetëm në interesin ideologjik?

Shpesh harrojmë që jemi shtet i vogël me halle të mëdha, që nuk mund t’ia lehtësojë jetën askujt.

Por, ti kthehemi një krahasimi të rëndësishëm.

Në kohën kur ndjeshmëria për dhimbjen tonë (luftën e fundit) ishte bërë domosdoshmëri etike, Palestina thoshte se Prekazi dhe Reçaku “janë çështje të brendshme serbe”.

Vazhdonte ta nderonte Millosheviçin me tituj e medalje, në kohën kur kasapi provonte t’i lante bërrylat prej gjakut të qytetarëve tanë.

E krejt në fund na e mohoi ekzistencën duke thënë që edhe nëse Serbia “gabon” dhe e njeh Kosovën shtet, këtë gabim nuk do ta bëjë Palestina.

Tani, përveç se nuk kemi asnjë borxh moral ndjeshmërie ndaj dramës së tyre, më duket se qëndrimet tona përkrahëse janë edhe fyerje për viktimat e masakrave serbe këtu që ata i “mbështesnin” nga atje (është fjala për shtetin palestinez). Fyerje për dinjitetin e përpjekjeve tona për liri. Me një fjalë i bie, të mos e respektosh dhimbjen dhe vuajtjen e tërë atyre që përjetuan dhe qenë viktima të gjenocidit serb.

Prandaj, foret ideologjike që po provohet të shiten si preokupime mbi humanizmin janë të pa sinqerta dhe jo logjike. Palestinën ende e kemi armik, deri sa të dojë vet ajo. Deri sa të provojë të kërkojë falje për qëndrimet atëherë dhe derisa të na njohë si shtet tani.

P.S.

Kjo organizata që po e bënë marshin në përkrahje të Palestinës, pasi që e ka brenda emrit të saj edhe cilësimin Veprim Feminist, do të ishte më e hairit të bënte një marsh-protestë apo ta problematizojë rastin për gruan që u dhunua nga pesë burra për pesë ditë rresht – meqë kanë merak të mendojnë për “kolektivin”.

Shpërndaje në: