“Për motive të ulëta”, çka dihet për vrasjen e 89 vjeçarit në Ferizaj

“Për motive të ulëta”, çka dihet për vrasjen e 89 vjeçarit në Ferizaj

Sadri Sadriu u vra pasditen e së premtes në oborrin e një restoranti ku po mbahej një dasmë. I dyshuar për këtë është polici Festim Ramadani, ndërsa edhe një person tjetër është arrestuar nën dyshimin se u ndihmoi të dyshuarit ta kryejë vrasjen. I ndjeri ishte burri i tezes së të dyshuarit.

Pas rastit u konfirmuar se Sadri Sadriu është axha i burrit të presidentes Vjosa Osmani, dhe tashmë është publikuar fotografia e tij.

Majori Qazim Reka ka bërë me dije se polici nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar.

“Polici nuk ka qenë në detyrë zyrtarë, jashtë detyrës zyrtare, ka qenë me rroba civile dhe me veturë civile ka kryer veprën në vendin e ngjarjes këtu para këtij lokali. Vrasja është kryer me armë zyrtare. Zyrtari policor është F.R dhe viktima është S.S….Motivet nuk dihen ende. Nuk ka qenë pjesë e ahengut familjar”, tha Reka.

Prokuroria e Ferizajt dje ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve F.R., dhe J.M., për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt.

Sipas prokurorisë, polici F.R., për motive të ulëta ka shtënë në drejtim të viktimës.

Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

 

Shpërndaje në: