Tetë muaj mori rrogë pa shkuar fare në punë, ky është zëvendësministri i Tregtisë, Mentor Arifaj

Tetë muaj mori rrogë pa shkuar fare në punë, ky është zëvendësministri i Tregtisë, Mentor Arifaj

Aktiviteti i fundit në cilësinë e zëvendësministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Mentor Arifaj, e kishte mbajtur më 26 prill 2024. Nga kjo datë asnjë paraqitje publike për punën në ministri Arifaj nuk e ka pasur. Për më shumë se 8 muaj Arifaj nuk ka qenë fare në punë, ndërsa rrogën e benifitet i ka gëzuar bashkë me asistentin dhe shoferin e tij.

 

1 mijë e 554 euro është paga mujore e një zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës.

Burime të Periskopit brenda Qeverisë së Kosovës kanë treguar se Arifaj për më shumë se 8 muaj nuk ka qenë fare në vendin e punës dhe as nuk është paraqitur në asnjë aktivitet të kësaj ministrie.

Për më shumë se 8 muaj i bie se zëvendësministri është paguar nga buxheti i shtetit mbi 12 mijë euro pa bërë asnjë punë të vetme.

Periskopi ka dërguar pyetje në adresën e zëvendësministrit 17 mars të këtij viti për ta pyetur se cila është arsye që nuk ka qenë në punë dhe a ka vazhduar t’i marrë pagat e beneficionet tjera, mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje. Po ashtu kemi tentuar të flasim përmes telefonit por nuk është përgjigjur.

Po ashtu sërish Periskopi dy ditë më vonë me datën 20 mars të këtij viti ka dërguar pyetje në Ministrinë Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për të pyetur se cilat janë shkaqet që zëvendësministri Mentor Arifaj nuk është parqitur në punë që 8 muaj, mirëpo, as këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Në punë nuk janë paraqitur as shoferi e asistenti i tij për këtë periudhë kohore, e që janë paguar rregullisht.

Pasi kemi dërguar pyetje, zëvendësministri të premtën e 21 marsit të këtij viti është paraqitur në punë për herë të parë pas më shumë muajve kanë treguar burime të Periskopit.

Përveç pagës prej 1 mijë e 554 euro, zëvendësministrat kanë edhe mbushje telefonit prej 50 euro në muaj, që në total për 8 muaj i bie t’i ketë  marrë edhe 400 për telefon.

Paga prej 1 mijë e 554 euro është ekuivalente me 3 paga të një arsimtari në Kosovë.

Arifaj, ma heret ka qenë zëvendësministër i Ekonomisë, mirëpo me vendim të kryeministrit Kurti ai ishte transferuar në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë. Getoar Mjeku, që ishte zëvendës i Rozeta Hajdarit, kishte kaluar zëvendës i Artane Rizvanollit në Digasterin e Ekonomisë.

Arifaj është parë shumë aktiv në fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale pasi ka garuar në listën e Vetëvendosjes, por që nuk ka arritur të zgjedhet deputet.

Kujtojmë se në Qeverinë e Ramush Haradinajt ka pasur kritika të mëdha për emërimin e një dyzine zëvendësministrash që nuk kanë kryer kurrfar pune, e që janë paguar nga taksat e qytetarëve. Një veprim i ngjajshëm, por jo nga nurmi i të emëruarëve, është duke ndodhur edhe në Qeverinë Kurti, që zyrtarët e shtetit paguhen nga taksat e qytetarëve pa shkuar fare në punë./Periskopi/

Shpërndaje në: