Për Latifin komisar e injorant
Latif, pas sa e sa vitesh paske denjuar t’u përgjigjesh studentëve. Lajm i mirë po të mund ta quanim përgjigje. Kjo ngase për 10 vite prej kur të njoha në UP, s’ishe tjetër veçse një hijerëndë dhe militar që hyje në sallë duke rrapëlluar çizmet si të ishe pjesëtar garde që kryen paradë ushtarake e jo profesor filozofie. Natyrisht përgjigje pa parafrazuar emra, jo nga respekti, por pikërisht nga e kundërta e tij: nga urrejtja për studentin, i cili për ty nuk ekziston si subjekt. Ndaj edhe Latif, nise “letër” e jo replikë. Natyrisht jo nga ato letrat e gjuhës së butë a dëshpërimtare me veten e ku zakonisht ndahet halli me tjetrin apo e anasjellta, por letër me “L” të madhe, letër me erë poste, që mëton të të stepë sikur kur postierët të sillnin ndonjë letër që se prisje.
Vetëmse ka tri dallime këtu: letrat postare sado komisare të kenë qenë kishin adresues dhe pranues (pra mbanin emra), ndërsa letra jote nuk mban emër pranuesi; përçimi që i bën është në formë elektronike përmes administratorit të faqes express, buzhala, si dhe – është letër publike. Me duhmën që mban, publikimi dhe publiciteti i saj nuk nënkupton korrektësinë e një deklamimi guximtar publik, por fyerjen që inidicon skandali i hapjes së një letre postare plot patronizëm e pezm. Skandalin e asaj përbuzjeje që postat si zyra jote e zyra e buzhalës, si posta shpifarake të shpotisë që janë bëjnë si kurdo që kanë adresime. Ekziston vetëm ti dhe kasneci yt i qeniesuar në shpoti e idhnim. Së këndejmi, interlokutori /bashkëbiseduesi për ty nuk ekziston. Studenti për ty e për pjesën më të madhe të profesorëve në UP është më shumë një anonimat që vije për të tërhequr ekstrakte siç tërheq nga komuna të cilës i përket.
Gati 100 vite pas “Procesi” të Kafkas, e gati gjysmë shekull prej kur dolën filmat më të mirë kundër burokracisë – ndër ta për mua filmi rus “Zamri Umri Voskrseni” i Vitaly Kavenskyt – në të cilin pos që vizualizohen jashtëzakonisht fuqishëm celulat e stalinizimit sovjetik, ka edhe një skenë goditëse, për mua mjaft latifiane, teksa shpresa e një trokitësi në derën e një burokrati stalinist për t’i kryer punë s’përfundon ndryshe posse gati duke nisur të vallëzoj para tij (meqë dihet që burokrati me shpirt zyreje as që e shikon) – ti vazhdon diçka të ngjashme: depersonalizon interlokutorin përmes sjelljeve komisare, kësaj here edhe në komunikim indirekt.
Për rrjedhojë për ty Latif studenti lëre që s’ekziston në sallë e Universitet por ai s’ekziston as jashtë saj. Ekziston “dikush” që pritet ta marrë mesazhin. E as që Universiteti është Univers. Përkundrazi. Është qymez i dostave tu. Është vendi prej ku larguat pa asnjë bazë Besnik Domin. Për ty studentët janë dikush që konsumokan “ideologji me afat të skaduar”, ndërkaq klima e ambientit prej ku ti nis letrën, vendi ku MABETEX-i i Pacollit jo më larg se para 7-8 viteve futi edhe “liftat për profesorë”, nuk përfaqëson afat të skaduar. Po të kishte nisur replikë e jo letër komisare, mbase do të kisha denjuar të merrem me secilin rresht që ke shkruar. Por meqë këtë nuk e bën, më bie të merrem vetëm me disa nga banalitetet tua.
Në krye të shkrimit thua “qytetarët sot në Kosovë përditë në markete blejnë produkte me afate të skaduara dhe kështu rrezikojnë përditë jetën e tyre, të fëmijëve dhe familjeve të tyre” ndërsa më poshtë “Socialdemokraci do të thotë t’u premtosh të rinjve kapitalizëm me fytyrë njerëzore e jo barazi pas larjes me gjak të rrugëve”. Me vetë këtë që thua ti pranon pafuqinë e shtetit përballë kapitalit. Se si u bëka që në një situatë ku mjaftuakan marketet e këtij kapitalizmi të “Kosovës së shkretë” (një tjetër përkufizim apo shkarje frojdiane e jotja kjo) t’ua rrezikojnë përditë jetën njerëzve, deri edhe fëmijëve të kërkohet kapitalizëm me fytyrë njerëzore, ketë vetëm ti Latif e di. Prekë apo nuk prekë dora e shtetit që ti shenjtëron në këto markete, apo në fakt janë ato që na sunduakan?
Pra edhe Kosova vend i shkretë, edhe kapitalizmi i saj me markete që na i mbysin fëmijtë, edhe të kërkohet kapitalizëm me fytyrë njeriu! Bravo! Edhe Kamyja do ta lakmonte një gatishmëri të tillë sizifike, që s’është gjë tjetër veçse kërkesë e ngjashme e një të privilegjuari që “të shkretët” që ky i ka lënë pas në pasuri, ofiqe e status shoqëror, të heshtin. Të heshtin se mirë janë.
Kosovën e quan të shkretë jo pse partia e njeriut që ti këshillon e ka degdisur aty, por pse disa pjesëtarë shoqërie duakan “Marksin idhnak” dhe revolucionin, dhe kësodore sharron edhe në një paradoks të llojit të vet: përpjekjen për të diktuar jo vetëm orientimin e pakënaqësisë së njerëzve brenda Kosovës së shkretë, por për t’i diktuar edhe kahjet e filozofisë evropiane: çdo anim i filozofisë franceze kah e majta dënohet nga Latif Friedmani i Kosovës së shkretë. Kjo ma përkujton një urti popullore: “mos e mat veten me hije t’sabahut!” Por ti Latif, jo vetëm që e mat veten me hije t’sabahut, por jeton në të falë jaranisë e vëllamënisë me strukturat e pushtetit në ikje.
Ti bën penalizim inkuzicionist të krejt historisë të së majtës duke e reduktuar vetëm në Marksin, Gramshin e ca të tjerë. Duke injoruar historinë, filozofi Latif zhytet në paradokse e injorancë që se shpëtojnë dot. Mesazhi është i vetëkuptueshëm: Marksi = Stalini, Enver Hoxha, Kardeli. Çfarë idiotizmi i llojit më vulgar. Latif, po dëshmon se nuk merr nga historia politike, përkatësisht nga lëvizjet shoqërore kur të majtën e identifikon ekskluzivisht me Marksin respektivisht kur e redukton në regjimet/sistemet respresive të shekullit XX. Latif, ta piketosh Marksin pse në Rusi pati Stalin, në Kinë Mao, a në Shqipëri Enver, është njejtë si ta linçosh Tolstojin pse vinte nga një familje aristokrate e kohës së Romanovëve.
Latif, vetë liberalizmi lindi si i majtë. Vetë lëvizja protestante, ajo kalviniste dhe gjithçka që shënjoi taborin e kundërt me Klerin/Kishën (kujdes në fillim jo domosdo me kristianizmin!) ishte e majtë, meqë nisi si lëvizje liberatore. Përmend Gramshin, por jo burgosësin e tij Mussolin. Simptomatike apo jo? Qëllimisht futa në kllapa moskonfliktuimin apriori të majtizmit, me krisitianizmin meqë ka edhe plot shembuj të tentativave për ta pajtuar mesazhin e Jezusit me atë të Marksit, dhe atë hiç më larg se Tolstoji. Tashi si t’ia bëjmë me të? Në cilin kallëp ta vendosim?
Vetë Revolucioni Francez nga i cili dolën krejt konceptet operuese shoqëroro-politike ishte i majtë. Gati gjysma e “Manifestit Komunist” është lëvdata borgjezisë sepse Marksi në rrugëtimin e “zhvillimit të njeriut me anë të punës” tek kapitalizmi shihte shtypje të qëllimshme dhe mangësi të qëllimshme të ardhjes së barazisë, por nuk e mallkonte pse ka lindur. Aty ku Marksi e përplotësonte këtë rrugëtim ishte dështimi spektakolar i kapitalizmit të sigurojë mirëqenien ekonomike për njeriun, pra barazinë aq të neveritshme për Latifin. E LVV nuk është që bën as më shumë e as më pak se sa kërkesa për drejtësi fillimisht, e më pas barazi. Madje Marksi e Engelsi as që pritnin që mësimet e tyre të gjenin zbatim në një vend si Rusia, por të mos e cekur këtu që Engelsi popujt e Ballkanit i quante “popuj ahistorikë”, ndaj edhe identifikimi teorik i një lëvzijeje jashtë-perëndimore me mësimet marksiste nuk ua ka përligjur edhe nënshtratin historik e shoqëror si të tilla, pos në botën tënde. LVV që prej ditës së parë kur ka lindur nuk ka pasur për referencë as byrotë e Enver Hoxhës e as Kardelin.
Vetëm lindja e regjimeve represive – dhe po edhe vrastare – që keqpërdorën këto mësime fuqizoi diskursin e një “Europë Perendimore Liberale” kundruall një “Lindje Komuniste”, thua se Marksi e Engelsi vepruan në Vlladivostok, thua se vetëm Stalini e Mao vranë, apo thua se regjime komuniste pati vetëm në “Lindje”. Dhe vetëm kapja e tërë globit nga shpjegimi modern i botës bëri që edhe popujt e tjerë të kenë luksin e kundrimit dhe zbatimit TË TË GJITHA ideologjive moderne. Prandaj edhe sot gjithkush ndjehet – dhe ka të drejtë ndjehet – i lirë në të drejtën e të paktën provuarit të të gjitha ideologjive të dala nga Revolucioni Francez.
Poshtë e lartë tenton të gjesh inkonsitenca në broshurat programatike të VV-së dhe të pengon përdorimi i termit popull. Pse si t’i drejtohesh qytetarit ndryshe ? Me citate të Agambenit? Madje çfarë ka të keqe t’i quash shqiptarët e Kosovës më shumë se ç’janë? Nuk është kritika moderne e popullizmit ajo që ndihmon në këtë rast. Të ndihmon në rastin e Trumpit, jo në kontekstin kosovar. Mund të thuash se Lëvizja Vetëvendosje bën gabim logjik kur një turmë milionëshe banorësh të organizuar në stad familjesh e quan popull. Madje as këtë s’është e këshillueshme ta thuash në plotni meqë nga një Lëvizje shoqërore/politike nuk mund të kërkosh konsitenca logjike a tautologji. Thirrja në popull në një vend të pabërë, natyrisht e filtruar nga shovenizmat, racizmat e diskriminimet nuk mund të jetë e tejkaluar. Apo mos vallë Partitë Popullore në Evropë duhen tejkaluar, gjithnjë nisur sipas vizionit latifian për botën?
Na thua se “shteti i Kosovës është produkt i një lëvizje të gjatë kombëtare”. Jo Latif. Kjo nuk është e mbështetshme as historikisht as sociologjikisht. Për këtë s’kam më dyshim. Mund të thuhet shqiptarët e Kosovës bënë luftë sporadike për çlirim duke e paguar edhe me gjymtime e me jetëra rezistencën e tyre, mund të thuhet se patën lëvizje epizodike legale e ilegale, por kjo nuk përligj konstatimin se kishim potenciale shtetformuese. Edhe kurdët janë mbytur me gaz nga Saddami, por lideri i liliput-shtetit kurd në veri të Irakut është një bajraktar fisnor i ngjashëm me bandat e juaja. Rezistenca erdhi nga shtypja, por pa ditur asnjëherë se ç’janë në të vërtetë liria, shteti, Republika e emancipimi.
Jo rastësisht LDK kërkonte ndihmë nga jashtë e jo vetërealizim; jo rastësisht, masovokisht kërkohej shpëtim e jo çlirim. Jo rastësisht UÇK-së nuk iu bashkëngjitën as 1% e popullatës, pavarësisht që ju i bëtë 50 mijë veteranë, apo mos jam gabim Latif? Kjo ishte kështu sa pafuqia e pamundësia; sa nga injoranca e frika, sa nga bashkëjetesa dhe pajtimi vullnetar me Jugosllavinë e Serbinë poaq edhe nga të qenit të përçarë. E di se kjo dhemb, por ç’ti bësh.
Përrallat me mbret se si UÇK-ja qenka e ngjizshme me Ibrahim Rugovën e Fehmi Aganin; se si e përplotësuakan njëra tjetrën, se si LDK-ja na qenka vazhdimësi e NDSH-së, janë kopalla idiotësh në histori. Mos më thuaj tani që Kosova nga 17 marsi 2004 tek 10 shkurti 2008 (3 vite e njëmbëdhjetë muaj), na u paska emancipuar astronomikisht dhe tek tani paska shpallur pavarësinë! E di edhe ti më mirë se unë që kjo është qesharake. Shpallja e pavarësisë erdhi nga ndryshimet sa epizodike sa të ngutshme dhe jo pak befasuese në rendin global, diktuar më së shumti nga SHBA-të.
Marrja për bazë e finalitetit të një diçkaje si bazë për të përligjur edhe fillimin apo vazhdën e pandërprerë të finalitetit me determinanca, pa të keqen tënde, në Filozofi të Shkencës, njihet si gabimi vigist (vigism) Latif.
Edhe për mosbërje të ushtrisë akuzon LVV-në, dhe jo presidentin e zgjedhur kontrabandueshëm. Është VV që e përkrahi atë nismë Latif, por ju dhe presidenti i kontrabanduar u zbythët pas nja 72 orëve.
Ke përmendur edhe “salafizmin”, pa pyetësuar kurrënjeherë pse shqitja e një vendi në ideologji të tilla nuk mund të shikohet/lexohet historikisht? A e kemi luksin që për Kosovën tonë të flasim si për një shtet që ka një nënshtrat shekullor historie? Parasëgjithash: i paraprinë njeriu shtetit apo shteti njeriut? A nuk na u ndërruan pesë sisteme vetëm nga 89-ta Latif ? Jugosllavia, RFJ-ja e Millosheviqit me “rezistencën paqësore”, UNMIK-u, pavarësia e mbikëqyrur dhe kjo që e gëzojmë sot? A nuk përjetuam pesë herë ndërrime dokumentesh identifikimi (e për paradoks akoma s’mund të udhëtojmë pa viza në kontinentin që ti ia dikton filozofinë!), pesë herë shkundje sistemike dhe konceptuale shpjegimesh të botës, pesë here shkundje shpirtërore në më pak se 28 vite, për të mos mundur asnjëherë – edhe ne që duam – t’ia kapim fillin shpejtësisë së ndryshimeve që na servoheshin.
A nuk është e logjikshme që nga shkundjet e tilla, njerëzit të ndjenjë boshllëk meqë jo gjithkush ka privilegjet tua? Sipas teje shteti si entitet i abstraguar i paraprika njeriut. Le të kërcejmë ne teoricientët nga Josip Brozi në posmodernë, s’ka problem, kjo është normale, por fajtor mbetet populli injorant! Cilën herë patëm mundësinë ta shtrojmë mirfillazi debatin mbi fenë, laicitetin, sekularitetin, traditën, modernën tek ne? Kur lejuat? Asnjëherë. Kontrolluar mediat, kontrolluat jetën publike.
Por për fat të mirë të këtij vendi shpejt do të mbetesh pa hyqymet Latif. Do të çlirohemi nga ti e komisarët tjerë. Të siguroj për këtë.