Për kë po bien këta tupana?!
Ishte një atmofsferë sikur në autobusin e linjës Prishtinë-Ferizaj para disa viteve, dhe të dukej se për pak do të fillonte kënga “Kah po vjen ni za tupani, ku po nihen k’ta dasmorë…”. Në fakt, kënga nuk fillonte, por tupanat ushtonin gjithandej. Dëgjohej edhe melodia e surleve, teksa shpërthenin edhe fishekzjarret, e nuk mungonte tek-tuk as gjuajtja me “kallash” diku në periferi.
Dasmë nuk kishte. Ngjarja nuk po zhvillohej në kurrfarë mjeti transporti, e as jashtë Prishtinës, por pikërisht në Prishtinë, në rrugët dhe sheshet e saj. Një lajm i mirë sapo kishte mbërritur nga Franca. Ramush Haradinaj nuk do të mbahej më në këtë shtet, i cili e arrestoi atë me një urdhër-arrest të fqinjit tonë, Serbisë.
Nuk ka dyshim që lirimi i Haradinajt është një lajm i gëzueshëm. Të paktën për gjithë ata që e cilësojnë si të drejtë luftën tonë çlirimtare ndaj Serbisë dhe janë ithtarë të drejtësisë. Aq më tepër, kur është e ditur se Haradinaj është përballur dy herë me drejtësinë ndërkombëtare, nga të cilat procese ka rezultuar i pafajshëm. Pas gjithë kësaj, kushdo që drejton gishtin e fajësisë kah Ramushi për të njëjtat akuza, e ka inat fort Kosovën dhe luftën e saj të drejtë për çlirim e pavarësi nga Serbia.
Por, a duhet të jetë festë lirimi i Haradinajt? Meqenëse veç u cilësua ashtu, a duhet t’i thërrasim mendjes e ta pyesim se çfarë ngjarje është kjo që po kremtohet? Pse e për kë po bien këta tupana?
Për ta arsyetuar përgjigjen time“JO”, të cilën po e jap qysh tani, rikujtojmë fillimisht që pavarësisht lirimit të Haradinajt, urdhër-arrestet e Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK’së nuk janë shfuqizuar. Haradinaj mund të arrestohet prapë, e nëse jo në Francë, në Itali ose diku tjetër. Nëse jo Haradinaj, ndonjë bashkëluftëtar i tij. Le ta sjellim në vëmendje se Haradinaj ishte arrestuar edhe më herët në Slloveni, ku ishte arrestuar edhe bashkëluftëtari i tij, Agim Çeku.
Sigurisht që privimi i Ramushit më gjatë nga liria do të nënkuptonte vazhdim të një padrejtësie të madhe, por çka ka për t’u kremtuar tek lirimi i tij, kur është çështje muajsh fillimi i aktivitetit të Gjykatës Speciale, e cila për krime lufte s’do ta gjykojë Serbinë, por gjyqin do të ia bëjë atyre që ishin ushtarë në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbase jo Ramushit, por bashkëluftëtarëve të tij. Ndonëse Serbia ishte pushtuesi, dhe nuk e pa të udhës asnjëherë të kërkojë falje për krimet e saj. Për më keq, me fanatizëm ruan nenin e Kushtetutës që konsideron Kosovën pjesë të saj.
Festa bëhet edhe me irrituese e tupanat të padurueshëm, kur kujton që Kosova nuk e përmend askund në dokumentet e saj themeltare luftën e UÇK-së. Treshkronjëshi “UÇK” nuk ekziston as në Kushtetutë, e as në Deklaratën e Pavarësisë. Duket që pushtetarët e sotëm, që ishin në pushtet edhe kur u vendos që fjala “UÇK” të mos ishte pjesë e dokumenteve kryesore të Republikës së Kosovën, kanë vlerësuar se “UÇK” është përmendur mjaft në këngët e Leonora Jakupit e Ilir Shaqirit. Ndërsa, Serbisë në vend që t’i hartohen paditë nga shteti ynë për krimet e bëra, ajo “goditej” vazhdimisht me tekste këngësh të tipit “Mos e prek ushtarin tim që thirri liri..”. E për ironi, duket se Serbia e cila sot drejtohet nga pasardhësit e Sheshelit dhe Millosheviqit, s’po e prek asnjë ushtar. Atë po e bëjnë misionet ndërkombëtare në Kosovë. Atë po e bëjnë shtetet e fuqishme evropiane, me urdhër-arreste të Serbisë. Atë do ta bëjë Gjykata Speciale, themelimi i të cilës ndonëse dështoi njëherë në Kuvend, Kuvendi e themeloi në provën e dytë.
Edhe pse dukshëm mund ta dëmtojë entuziazmin e madh për të festuar, do të ishte hipokrizi që të mos përmendet edhe një gjë më rëndësi.Për raportin inferior të Kosovës ndaj Serbisë dhe pse “UÇK” është pjesë vetëm e folklorit dhe këngëve të tjera nga tallavaja e deri të hip-hop, dhe jo e dokumenteve themeltare të shtetit tonë, nuk është krejt i pafajshëm as Ramush Haradinaj dhe AAK e tij. Kjo parti, në krye më të, nuk e kundërshtoi Pakon e Ahtisarit kur duhej, dhe ishte mbështetëse e zellshme e negociatave të vazhdueshme me Serbinë. Madje, në to kishte çuar për koordinator ish-nënkryetarin e saj, Blerim Shalën, i cili më pas, më i gatshëm qe ta lë partinë sesa negociatat.
Sot, Ramushi u lirua. Të gjithë u gëzuam. Ai po e gjen Kosovën siç e la kur para ca muajve mori udhë për në Francë. Arrestimi i tij nga autoritetet franceze do të duhej të ishte mësim, fillimisht për të, e më pas për të gjithë qytetarët e Kosovës, për pozicionin tonë aspak të favorshëm ndaj Serbisë. Lirimi i tij do të duhej të ishte thirrje për ta ndryshuar Kosovën, për një Kosovë që nuk nënshtrohet karshi Serbisë. Prandaj, tupanat që sot po bien për të festuar lirimin e tij, do të ishte mirë të zëvëndësoheshin me thirrje ndaj qeverisë për ta kushtëzuar Serbinë. Ramushit le t’i urojmë mirëseardhje në vendin për të cilin sakrfikoi ai dhe familja e tij që sot të jetë i lirë, por, ai dhe të gjithë ne që po jetojmë në këtë vend, duhet ta dimë se lirimi i tij nuk është kurrfarë fitore. Do të fitojmë vetëm atëherë kur të kemi Republikë. Nëse nuk angazhohemi për këtë, mund edhe t’i shqyejmë tupanat e të mos e ndalim festën për javë të tëra, por kot.