Për herë të 16: Edhe vetë Specialja e pranon se gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së është zgjatur
Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të cilët po akuzohen për krime të luftës.
Në vendimin e fundit të publikuar nga Dhomat e Specializuara, bie në sy një detaj interesant.
Trupi gjykues e pranon se ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari i Kosovës, Veseli, kanë qëndruar për kohë të gjatë në paraburgim.
Bazuar në vendimin e publikuar më 14 gusht paralajmërohet se do të bëhet një vlerësim, nëse paraburgimi është i nevojshëm dhe i arsyeshëm. Kjo duke marrë parasysh këto vonesa.
“Megjithatë, Paneli thekson se z. Thaçi/ z. Veseli tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore dhe se gjykimi në këtë rast është i gjatë. Siç ka treguar më parë Paneli, kjo do të kërkojë që Paneli, si dhe të gjitha palët, të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Paneli do të vazhdojë të monitorojë në çdo fazë të këtyre procedurat nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim transmeton Klankosova.tv
Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare po mbahen në Hagë nga nëntori i vitit 2020.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill të vitit të kaluar.