Për dy jeniçerët e rinj, Kurt(d)i dhe Osmani

Për dy jeniçerët e rinj, Kurt(d)i dhe Osmani

Shkruan: Mero Baze

Ka gjithnjë  politikanë në Kosovë që duan të bëhen të famshëm duke sulmuar politikën e Tiranës. Është një lloj kompleksi i viktimizimit të tyre, duke dashur të shpjegojnë dështimet e tyre me politikën e Shqipërisë, dhe jo me problemet e Kosovës.

Vjosa Osmani është e re në këtë punë dhe duket edhe e paditur. Albini është më i kualifikuar dhe e ka traditë këtë sjellje.

Nuk mendoj se kjo i bën ndonjë dëm politikës në Tiranë, por i bën dëm politikës së Kosovës në Shqipëri, se ngjall pa ndonjë nevojë një lloj bezdie për Kosovën.

Por duke e lënë mënjanë këtë kompleks të tyre, është mirë të përdorim logjikën pak minuta për ato që gjoja kërkojnë nga Shqipëria, dhe për ato që sulmojnë, të cilat bien ndesh me njëra- tjetrën.

Vjosa Osmani mendon se është politikania e parë e Kosovës apo e Shqipërisë, që e thotë si zbulim, që Shqipëria të ndihmojë Kosovën për të fituar votat në OKB, në UNESCO, në INTERPOL, a ku di unë tjetër, ndoshta në Federatën e Peshëngritjes apo  Federatën e Bletërritësve botërorë.

E kërkon këtë me një pathos dhe vendosmërinë e një njeriu të sigurtë në budallallëkun që thotë, që ti pasi e dëgjon, mendon se, ose është e paditur dhe s’ka dëgjuar çka ndodhur këto 30 vjet, ose është një kukull e instruktuar, meqë i ka dhe kaçurrelat gati.

Shqipëria së paku prej vitit 1991, nuk ka lënë asgjë pa bërë për të mirën e Kosovës, sa i përket politikës së jashtme. Ajo ka qenë në dispozicion të saj dhe nuk ka pritur Vjosa Osmanin në fund të  2020, që të lobojë për “ulëse” në UNESCO, Interpol, a po ku di unë tjetër, ku Kosova nuk anëtarësohet dot.

Kjo është sjellje fyese ndaj Shqipërisë dhe një mosmirënjohje e madhe, që po ta thoshte dikush tjetër që merret seriozisht në Kosovë, mund të përbënte një debat joproduktiv mes dy vendeve.

Por kjo është një dhi e ndarë nga tufa dhe kësisoj nuk është se prish ndonjë punë, por dëshmon një profil qesharak të vetëndjerjes, si politikane “kombëtare”.

Shqipëria ka gjithandej një votë për çdo vendim të saj në botë dhe maksimumi mund t’i bëjë 3 apo 4 vota. Ata që kanë vota dhe vendosin për Kosovën janë SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe nderi i vetëm që Kosova duhet t’i kërkojë Shqipërisë, është të mos prishet me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Shqipëria e ndihmon Kosovën kur është mirë me Perëndimin dhe e varros atë kur ka liderë anti-perëndimorë.

Tani zonja Osmani, nëse do vërtet që Shqipëria të ndihmojë Kosovën në politikën e jashtme, duhet ta ndihmojë njëherë Shqipërinë të jetë luajale me SHBA dhe BE dhe idetë e tyre për Kosovën. Minishengeni përshembull, është një politikë amerikane, një direktivë amerikane dhe një politikë e mbështetur fort nga Bashkimi Europian. Kryeministri i Kosovës e firmosi angazhimin për Minishengenin në Shtëpinë e Bardhë, në zyrën e presidentit Trump.

Tani zonja Osmani këtë e quan tradhti të Edi Ramës, në krah të Ilir Metës, një figurë e spikatur anti-Perëndimore e pastaj i kërkon Edi Ramës t’i shpallë luftë SHBA dhe BE, duke e quajtur ndihmë për Kosovën.

Me pak fjalë, zonja Osmani për Edi Ramën ka përfytyrimin që ka idhulli i saj Albin Kurti për Enver Hoxhën, që ai ka qenë i fortë, e ka ndihmuar Kosovën duke ja “përplasur në fytyrë” SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik (shoku Enver ja përplaste në fytyrë NATO-s dhe Traktatit të Varshavës njëkohësisht.)

Kosovën nuk e ka çliruar Shqipëria, madje as shqiptarët. Shqipëria ka ndihmuar aq sa ka mundur shqiptarët e Kosovës gjatë luftës, duke i mbajtur këtu. Kosovën e ka çliruar Perëndimi, SHBA dhe Bashkimi Evropian, me ndërhyrjen ajrore të NATO-s. Ata e kanë njohur pavarësinë, ata dhe po e bëjnë shtet.

Sa për Shqipërinë, ne e kemi njohur Kosovën qysh në vitin 1991, me një rezolutë të iniciuar prej Abdi Baletës dhe Haxhi Lleshit më 1991, por maksimumi u kemi vënë në dispozicion vilën e Enver Hoxhës udhëheqësve të Kosovës. S’di a fjeti dhe Vjosa aty. Kaq na shkon fjala.

Kosova nuk mund të ndihmohet në arenën ndërkombëtare nga një Shqipëri anti-Perëndimore dhe as nga figurat më anti-Perëndimore të Shqipërisë.

Mençuria e Ibrahim Rugovës më 1996, ishte që u distancua nga Sali Berisha, pasi ky i fundit hyri në luftë me SHBA, dhe ai ruajti mbështetjen amerikane për Kosovën, duke mos e bërë pis me Shqipërinë.

Sot Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duan të bëhen aleatë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, që janë “dele e zezë” e Perëndimit në Shqipëri, dhe pastaj duan që po kjo Shqipëri anti-perëndimore, të ndihmojë Kosovën. Zoti i ndihmoftë ata dhe Kosovën, me këtë mendje që kanë.

E njëjta gjë është dhe me retorikën boshe, që Parlamenti i Shqipërisë të dënojë krimet dhe genocidin serb në Kosovë. Kjo domethënë që Parlamenti jonë prej vitit 1991, nuk e paska dënuar genocidin serb dhe tani duhet ta kujtojë për këtë, Albin Kurti me Vjosa Osmanin.

Nga këto 30 vjet, në Shqipëri, 15 vjet ka qeverisur Sali Berisha, dhe 8 vjet Ilir Meta, kurse 7 vitet e fundit Edi Rama. Lereni Edin se s’po e llogarisim, meqë e ka caktuar Albin Kurti armik, por kini pak mëshirë për “patriotët” Sali Berisha dhe Ilir Meta, se kanë qeverisur 23 vjet dhe nuk paskan dënuar krimet serbe në Kosovë.

Kjo është një përrallë e ligë, që kërkon të fyejë Shqipërinë dhe ta konsiderojë atë një vend indiferent ndaj Kosovës, që duhet të zgjohet nga gjumi nga dy delirantë nga Kosova, që kanë nisur fushatën elektorale në Tiranë para se ta nisin në Prishtinë. Ky është një turp për të cilin ata duhet t’u kërkojnë ndjesë institucioneve të shtetit shqiptar.

Prej Sali Berishës në pushtet më 1992, e deri më sot, çdo hap i diplomacisë shqiptare ka qenë për Kosovën, pasi ajo është e vetmja fushë e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Për aq reputacion sa ka Shqipëria dhe për aq mundësi që ka, ajo nuk ka lënë gjë pa bërë për të mirën e Kosovës, dhe këtë e ka pranuar klasa politike në Kosovë në çdo kohë.

Ndërkohë që flasim, Parlamenti ka nisur një hetim rreth burimeve spekulative që kanë furnizuar dosjen e UÇK-së. Interesante është se të njëjtët persona, janë kundër kësaj që bën Parlamenti, e cila është një teprim deri në vijë të kuqe i Shqipërisë me partnerët Perëndimorë, për hir të Kosovës, dhe duan t’i imponojnë dokumente që fyejnë vetëdijen shqiptare të Kuvendit të Shqipërisë për Kosovën, duke e konsideruar atë si një institucion që nuk ka bërë kurrë asgjë për Kosovën.

Kurt(d)i dhe Osmani ngjajnë vërtet si dy jeniçerë të rinj, por kjo nuk do të thotë që me shpatën e tyre, që duan t’ia ngulin Shqipërisë, do të bëhen të famshëm në Kosovë. “Edhe mund të bëhen”, siç thotë Kurti, por pastaj lind pyetja ku do t’i gjejnë gjithë këta mbështetës anti-Shqipëri në Kosovë, që të ndjehen fitimtarë.

Shpërndaje në: