Për çka po hetohet nga Prokuroria Speciale sekretari i ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi?
![Për çka po hetohet nga Prokuroria Speciale sekretari i ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi?](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/Haxhi-Shala-denohet-me-tri-vite-burg-nga-Gjykata-Speciale-475x300.png)
Prokurorisë Speciale i është shtuar puna gjatë qeverisjes Kurti, pas dyshimeve me dallavere që janë bërë gjatë këtyre katër viteve me tendera milionësh. Kësaj here Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në ministrinë e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia, e ku dyshohet se janë kurdisur disa tenderë mijëra eurosh- I përfshirë këtu është edhe sekretari i saj, Naim Bardiqi, shkruan Periskopi.
Si u përfshi sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë në konflikt interesi?
Në vitin 2024, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi ishte shndërruar në “person kontraktues” për kompaninë e huaj Klmego Consulting L.L.C.
Një hulumtim nga Buletini Ekonomik, zbardhi disa tenderë të dyshimtë të Ministrisë së Shëndetësisë i kishte fituar kompania ‘KImego Consulting’, pronari i së cilës është në konflikt interesi me sekretarin e Ministrisë së Shëndetetësë, Naim Bardiqi.
Sekretari Naim Bardiqi, figuron si “person kontaktues” për biznesin Kimego Cunsulting, dega në Kosovë, ndërsa zyrtari tjetër i kësaj ministrie, Nexhip Sheholli, sipas hulumtimit, kreu “shërbime të kontabilitetit” për këtë kompani.
Ndihma për asistencën teknike të ofruar nga kjo kompani me rastin e hartimit të Strategjisë së Sektorit të Shëndetësisë (2017-2021), buxhetit të shtetit të Kosovës i ka kushtuar 18 mijë e 216 euro, derisa për projektin e dytë, kjo kompani është paguar me gjithsej 52 mijë e 250 euro.
Në rastin dytë, bëhet fjalë për një tender tjetër, atë për furnizim me Rezonancë Magnetike për nevoja të Spitalit të Prizrenit.
Sipas gjetjeve që dalin nga hulumtimi, për tenderin në fjalë ekziston dyshimi se i njëjti është kurdisur për t’ju dhënë kompanisë fituese.
Dy anëtarë të Komisionit Vlerësues për këtë tender, u ndodhën në konflikt interesi me drejtuesit e kompanisë fituese. Po ashtu, nga dëshmitë e siguruara nga Boletini Ekonomik, dyshohet se janë kurdisur edhe specifikat e tenderit për kompaninë fituese.
Vlera e kontratës është gjithsej 290 mijë e 439 euro.
Pajisja (rezonancë magnetike) nga kompania fituese është blerë në Kinë me çmim të lirë e kualitet të dobët, dhe është shitur në Kosovë për Ministrinë e Shëndetësisë dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Një rezonancë magnetike – MRI 1.5 t, me performancat e njëjta si pajisja që u përurua në Spitalin e Prizrenit, në Kinë mund të blihet me çmim nga 350 mijë deri në 400 mijë euro. Por, Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, një pajisje e tillë nga një prodhues kinez, i kushtoi hiq më pak se 785 mijë euro, apo dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Kush është Naim Bardiqi?
Naim Bardiqi ushtronte detyren e sekretari të Ministrisë së Shëndetësisë edhe në vitin 2020 kur minister ishte Armend Zemaj. Atë kohë Bardiqi ishte shkarkuar nga kjo pozita, por u rikthye menjëherë pasi Arben Vitia mori pozitën e Ministrit të Shëndetësisë.
“Propozim vendimi për vazhdimin e mandatit të zotit Naim Bardiqi si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë bazohet në performancën e shkëlqyer të tij në të gjitha aspektet e menaxhimit dhe mbikëqyrjes administrative. Doktor Naim Bardiqi ka treguar performancë edhe në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e mekanizmave përgjegjës për vaksinim dhe pandeminë në përgjithësi përfshirë koordinimin institucional dhe ndërinstitucional. Ajo që vërehet tani në Ministrinë e Shëndetësisë, në secilën hallke të organizimit të administratës është prezenca e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së brendshme”, kishte thënë Vitia.