Për çfarë akuzohej Ilir Tolaj i cili u dënua me 3 vjet burgim
Ish -sekretari i Përgjithshëm I Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, është dënuar sot nga Gjykata e Apelit me tre vjet burgim.
Por për çfarë akuzohej ish sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë?
Ilir Tolaj akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi”, dhe “Shmangia nga tatimi”, në bashkëkryerje.
Aktakuza kishte të bënte me katër aktivitete të prokurimit publik, të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2011, ku sekretar i Ministrisë ka qenë Ilir Tolaj,
“Klasifikimi dhe shkatërrimi i barnave me afat të skaduar”, “Furnizim me infuzione”, “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK” dhe “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne në repartin e ri për dializë në QKUK”, ku si pasojë e shkeljeve ishte dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë rreth 700,000.00 euro.
Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro
Gjykata Themelore e Prishtinës më 25 tetor të vitit 2019 i kishte shpallur të pafajshëm Tolajn dhe katër të tjerët.
Por lënda është rikthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit, i cili mori vendim dënues për grupin.
Bekim Fusha, që për kohën kur është akuzuar ka qenë shef i departamentit farmaceutik në MSh, është dënuar me 2 vjet e 4 muaj.
Zenel Kuçi, që ka qenë menaxher i prokurimit në MSh në atë kohë, është dënuar me 2 vjet e 8 muaj.
Aktgjykim dënues ka edhe për tre inspektoret.
Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqit sipas komunikatës se Gjykatës se Apelit janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht./Periskopi/