Pensionistët padisin Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për shkelje të të drejtave

Pensionistët padisin Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për shkelje të të drejtave

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lidhja e Organizatave Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, kanë akuzuar qeverinë e Kosovës se janë duke e shkelur ligjin dhe të drejtat e qindra-mijëra pensionistëve, duke mos ua rritur pensionet në bazë të përllogaritjes së kostos së jetesës së tyre dhe përshtatjes me inflacionin.

Përveç tetë mijë padive individuale që pensionistët kanë bërë ndaj shtetit si shkak i kësaj çështje, edhe IKD-ja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapat ligjorë që ta padis Ministrinë e Financave edhe qeverinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për moszbatim dhe mosveprim sipas ligjit.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, ka thënë se sikurse qeveritë e kaluara, as qeveria e tanishme nuk i ka respektuar dy ligjet të cilat rregullojnë çështjes pensionale. Ai ka thënë se shteti me moszbatimin e ligjeve është duke cenuar të drejtat e mbi 149 mijë pensionisteve të cilët marrin pensionin bazik të moshës si dhe të drejtat e 49 mijë pensionistëve tjerë të cilët e marrin pensionin kontributdhënës.

“Në Kosovë ekzistojnë dy ligje të cilat rregullojnë çështjes pensionale: ligji për skemat pensionale dhe ligji për caktimin e metodologjisë të përcaktimit të lartësimit të pensionit bazë. Dy ligje me disa nene të caktuara rregullojnë çështjen se si duhet të rriten pensionet ose si duhet të jenë ato në mënyrë që pensionistet të ta kalojnë muajin mirë. Si Institut i Kosovës për Drejtësi, kem gjetur se qeveritë e kaluara, por edhe kjo e tanishmja, nuk i respektojnë këto dy ligje sipas specifikave ose sipas kërkesave të cilat i kanë në dispozitat e këtyre dy ligjeve. Sipas ligjit për caktimin e metodologjisë së caktimit të lartësisë së pensionit, qeveria, Ministria e Financave në këtë rast, kanë për detyrë që në çdo fundvit kalendarik për vitin vijues ta caktojnë pensionin tjetër të radhës, shumën e radhës, në raport me inflacionin, në raport me koston e jetesës, me shportën ushqimore dhe në raport me inflacionin. Një gjë të tillë qeveria, shteti, është duke dështuar ta bëjë, rrjedhimisht është duke cenuar të drejtat e mbi 149 mijë pensionisteve të cilët marrin pensionin bazik të moshës që është në shumën tashmë 100 euro”.

“Në anën tjetër cenohen edhe të drejtat përafërsisht 49 mijë  pensionistet e tjera të cilët e marrin pensionin kontributëdhënës”, ka thënë ai për Ekonomiaonline.

Jakaj ka thënë se si Institut kanë kërkuar nga qeveria dhe Ministria e Financave të zbatojnë ligjin në raport me kërkesat e pensionisteve, duke shtuar se në rastin e kundërt, nëse nuk merren hapa në afat prej një muaji, ata do të ushtrojnë padi në Gjykatën Themelore ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Financave.

Kryetari i Lidhjes së Organizatave Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, Nijazi Gashi, ka thënë se ligji aktual nuk i plotëson kushtet, është ligj i keq dhe është në kundërshtim me shumë ligje të tjera që funksionojnë në Kosovë.

Për këtë, ai ka thënë se kanë kërkuar që të behët një ligj i ri mbi skemat pensionale. Gashi ka shtuar se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe se qeveria nuk ju është përgjigjur në asnjë rast për këto kërkesa.

Ai ka thënë se pensionistët patën nënshkruar një kontratë me tre avokatë të cilët do t’i përgatisnin paditë e pensionistëve pa as një kosto, por që sipas tij, me këtë rast ka pasur reagime nga qeveria të cilat ai thotë se i kanë shtyrë që të prishet kjo kontratë. Gashi tha se me këtë veprim qeveria ka bërë ndërhyrje flagrante të drejtpërdrejtë në të drejtat elementare të pensionistëve.

“Para një muaji kemi pasur mbledhjen e kryesisë dhe kemi marrë vendim që të vëmë në kontroll këtë fenomen duke parë që ata që kanë bërë padi individuale, çdo padi i ka kushtuar nga 50 deri 150 euro për ta bërë. Pas mbledhjes ka dalë vendimi, kanë ardhur tre avokatë të cilët na kanë ofruar shërbim pa kosto, pa pare, pa as një shpenzim, dhe neve na është dukur më e pranueshme ajo sesa me shku në mënyrë individuale dhe me pagu deri në 150 euro. Ne e kemi një kontratë me ata, por në të njëjtën kohë qeveria ka dalë me dy deklarata që ky është mashtrim, ky është keqpërdorim. Dhe ne kemi marrë para dy javësh nga avokatët një kërkesë që të ndërpresim edhe atë procedurë, normalisht që e kemi ndërprerë, kjo është një ndërhyrje flagrante e drejtpërdrejt e qeverisë në të drejtat elementare të pensionistëve”.

“Në njërën anë nuk i kanë rritur pensionet, në anën tjetër ju merret e drejta që të ankohen dhe ku me varë shpresën këta të mjerë, t’i quaj, sepse një njeri që varet nga 100 euro në muaj për mua ai është i mjerë. Deri në momentin që ne kemi marr email nga avokatët e lartcekur, numri ka qenë rreth tetë mijë padi”, ka thënë Kryetari i Lidhjes së Organizatave Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, Nijazi Gashi.

Shpërndaje në: