Penisi i Ana Bërnabiqit

Penisi i Ana Bërnabiqit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi dje para disa zyrtarëve të BE-së se “shqiptarët e Kosovës bukfalisht janë njerëz të zbritur nga mali” duke dashur të arsyetonte se si shoqëria serbe ishte paqedashëse dhe racionale ndërsa ajo e shqiptarëve të Kosovës ishte joracionale dhe luftëdashëse. “Atyre s’iu bën se a ka luftë apo jo dhe kjo më frikëson!” – kishte përfunduar racizmin kryeministrja lezbike e Serbisë.

E përmenda orientimin e saj seksual sepse presupozohet që pjesëtarët e komunitetit LGBT+ janë njerëzit më progresivë brenda një shoqërie. Presupozohet që për të mbërritur atë pikë emancipimi sa të dalësh hapur si gej, sa të dalësh hapur me partnerin e seksit të njëjtë, nënkupton se paraprakisht i ke hequr prej vetes një varg vlerash shtypëse ndaj grupeve tjera të margjinalizuara. Ksenofobinë të parën.

Kjo sepse ksenofobia ka rrënjë të përbashkëta si homofobia. Tjetri që të bën të ndihesh parehatshëm, i neveritur e i frikësuar nuk është veç pjesëtar i një grupi tjetër etnik, racor, religjioz a politik, por mbi të gjitha vleror e më specifikisht edhe seksual.

Por, zonja Bërnabiq duket se vlerat liberale i ka përbrendësuar veç deri në atë masë sa të çlironte pidhin e saj. Ajo në këtë rast e përdori të njëjtin diskurs fallogocentrik [phallus –penisi] si burrat e tmerrshëm që ishin liderë të vendeve ballkanike, e që e terrorizuan e vranë, persekutuan e linçuan miliona njerëz të grupeve të margjinalizuara. Kryeministrja serbe mund të mos ketë penis, por i dha realizim fjalës së popullit serb “Isti kurac, drugo pakovanje” që në shqip bën pak-a-shumë “i njëjti penis, por me paketim/pamje tjetër”.

Veçse, deri këtu shpjegimi është i mangët apo krejtësisht mungues. Si ka mundësi që brenda një trupi të bashkë-ekzistojnë vlera kaq të përkundërta, në njërën anë nacionalizmi i egër e përjashtues dhe në tjetrën idetë progresive që mësyjnë pranimin e gejëve, transgjinorëve e orientimeve tjera seksuale?

Mund të vërejmë pak dromca ngjashmërie në liderët komunistë të viteve ’80. Përfshirë edhe Enver Hoxhën dhe komunizmin e egër shqiptar pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. Liderët komunistë ishin njëherësh internacionalistë dhe nacionalistë e fashistë.

Por, pse ekziston ky lëmsh ideologjik e vleror brenda këtyre trupave? Në një anë kemi funksionimin strukturor të vlerave tradicionale shtypëse që gjallojnë kryesisht e përpunohet plotësisht në shtresën e varfër fshatare [me fjalë të Bërnabiqit, te njerëzit e zbritur nga mali] ndërsa në tjetrën kemi injektimin e vrazhdë e jostrategjik të vlerave liberale që mbesin pa strukturë e pa përmbajtje në manifestimin e tyre publik.

Këto vlera qarkullohen brenda elitës kulturore e politike por nuk përkthehen në një ndryshim të gjithanshëm shoqëror. Përkundrazi, përdorimi jostrategjik i këtyre vlerave i shërben qëllimshëm përjashtimit të mëtejmë shoqëror ndaj njerëzve të varfër ose me prapavijë të varfër.

Për Bërnabiqin këto vlera kanë rëndësi për aq sa e çlirojnë seksualitetin e saj dhe për aq sa i shërbejnë përveçimit të statusit të saj social. Në këtë rast, përveçimit të kulturës serbe nga ajo e shqiptarëve të Kosovës. Por njësoj ndodh edhe me njerëz tjerë brenda kulturës sonë. Mbështetja ndaj grupeve të margjinalizuara, qoftë edhe nëse je pjesë e tyre, bën një mbivendosje kulturore.

Fjalët e Bërnabiqit e pasqyrojnë pikërisht tendencën për superioritet kulturor më shumë se kombëtar a racor.

Përdorimi hipokrit i vlerave nga elita ka një ekonomi të veten. Konsistenca në vlera do t’i lejonte edhe njerëzve të shtresave të margjinalizuara që të kuptonin skemën e tyre duke e bërë irelevante përkatësinë e tyre sociale. Për serbët, nuk ka kurrfarë rëndësie se në çka beson një shqiptar, se çfarë vlerash performon – ai do ta ketë gabim gjithnjë, duke qenë i zbritur nga ‘mali’.

Është e njëjta përdorueshmëri hipokrite e vlerave edhe në shoqërinë tonë. Elita jonë kulturore, politike e ekonomike mban diktatin në përdorimin e vlerave, në përcaktimin e anti-vlerave, në peshimin e tyre, në skematizimin e tyre, e kështu me radhë. Ajo i jep vetes një superioritet kulturor e moral bazuar në pozicionimin e vet social dhe jo në vlerat që i performon. Nëse i zbrituri nga mali është seksist e racist, keq. Nëse është feminist e kozmopolit, edhe më keq.

Shpërndaje në: