Penglënie

Penglënie

Të ulur në një karrige kafeneje me një makiato pranë e njërën nga gazetat e vendit, shqyrtohet edhe mundësia për luftë dhe tensione të mundshme në Ballkan, për të dalë tek çfarë e pret botën pas vendosjes së Donald Trump’it në krye të ShBA’së. Secili ka një mendim, e më pas edhe një mendim se mendimi i tij për çështjet në fjalë është goxha i saktë e bindës. Në lëmshin me gjithë këto zhvillime, gjithkush pretendon se ka gjetur fijen. Megjithatë, zhvillimet politike vazhdojnë me dinamikën konstante

Muri që do të duhej të rrënohej dje sipas asaj që parashihte rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës, nuk u rrënua. Qeveria e Kosovës vazhdon ta trajtojë atë sikur të ishte vetëm një objekt pa leje, i ndërtuar nga një kompani ndërtimi e më të cilin duhet marrë organet komunale, pra duke mos lejuar shkeljen e ligjit. Ndonëse, ky mur është simbol i një ndarje etnike, dhe para se gjithash e mbi të gjitha, e cenon edhe më rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Pra, e shkel aktin më të lartë juridik, Kushtetutën, e cila është bërë dysheme për qeveritë e Kosovës.

Institucionet e vendit thanë se për murin nuk kishte marrëveshje në Bruksel. Në anën tjetër, merret vesh se në Bruksel pala kosovare e serbe janë marrë vesh për këtë mur, por që ai të kishte një lartësi rreth 80 cm. Por, seç ka ndodhur diçka, dhe muri doli të jetë më i gjatë, duke tejkaluar 2 metra. Muri vazhdon të qëndrojë i paprekur, teksa larg tij flitet për marrëveshje në lidhje me të, të ardhmen e tij. Sidoqoftë, muri mbetet peng.

Treni desh hyri. Me gjithë ato simbole nacionaliste serbe dhe parullën shumë të dëgjuar “Kosova është Serbi”, ai ia mësyu Kosovës, por dikush e ndaloi. Aq shumë na habiti ky veprim i Serbisë dhe aq shumë na frikësoi ky tren, thua ti se nuk hyn kurrë tren në Kosovë nga shteti që ende pandeh se jemi pjesë e tij, në Kushtetutën e vet.

Treni u ndal. Dhe më pas, diskutimi mori një kahje tjetër. Nuk po flitej më se ç’do të nënkuptonte arritja e “trenit rus” në destinacionin e synuar, por filluan hamendjet se kush e ndali këtë makinë që ia kishte mësyrë shtetit tonë. I pari ndër ata që e filloi këtë diskutim, me një mungesë të theksuar modestie, ishte ai që sot është president i vendit, por me nostalgji të hatashme për kohën kur ishte kryeministër, Hashim Thaçi. Ai zotohej se ishte urdhërdhënësi. Madje si “burrështetas i kohës”, “Erdogani i Burojës” e telefonoi së fundi edhe kryeministrin serb për të ia rikujtuar rëndësinë e bashkëpunimit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, sado që ky i fundit “e qiti në rrenë” gjatë takimit në Bruksel, duke konstatuar se treni ishte ndaluar nga vetë serbët.

Në këtë skenë, ku nuk u pa asnjë vendim serioz që ishte dhënë për ndaljen e këtij treni nga institucionet përkatëse, më së shumti përfituan policët që ishin nisur atë ditë për ta pritur trenin. Sado që ata – siç edhe thuhej – shkuan për t’u siguruar që rruga nga do të kalonte treni është e sigurt, ata u panë si heronj të gjithë kësaj ngjarjeje, e cila mbetet temë me dilema të mëdha. Mediat serbe veç kanë deklaruar se treni shumë shpejtë pritet të niset prapë nga Beogradi për në Mitrovicë, ku ndodhet edhe muri, e çka jo tjetër. Edhe treni mbetet peng.

Lufta dhe ushtria! A do të ketë luftë? Pse nuk kemi ende ushtri? Në do të këtë luftë, si do të ia dalim pa ushtri? A do të na mbrojnë miqtë tanë ndërkombëtarë nëse Serbia veç vendos që të shkelë në territorin e Kosovës me tanket e saj? Vallë, ShBA’ja a do të ishte në gjendje ta bombardonte prapë Serbinë në rast të përsëritjes të asaj që kishte ndodhur vjet më parë, tani kur në krye kanë një person kontravers si Donald Trump, i parë si flirtues i madh me Rusinë?
Ndonëse gjithë këto pyetje është vështirë të marrin përgjigje edhe nga ata që njihen si analistë dhe pretendojnë se kanë një ide mbi gjithçka, nuk mungon as këtu përplasja e mendimeve. Ca thonë se Albin Kurti më të drejtë e paska përmendur mundësinë për luftëra të reja në Ballkan kohë më parë. Të tjerë shprehin mllefin me pafuqinë e Qeverisë së Kosovës ndaj Listës Srpska, gjë që po pamundëson shndërrimin e FSK’së në FAK.  Ndërkohë, liberalët që trishtoheshin vetëm nga përmendja e fjalës “luftë”, më në fund kanë shtruar nevojën për “Xhandarmërinë e Kosovës”.

Megjithatë, në këtë rreth vicioz mendimesh, ekziston edhe mendimi se miqtë tanë ndërkombëtarë janë “ujqit e vjetër”, dhe njëmend i qëndrojnë besnik thënies “miku i mirë, në ditë të vështirë”.

Shumë e besojnë se ata do të jenë në gjendje që t’i dalin në ndihmë sa herë që Kosova ta ketë të domosdoshme përkrahjen e tyre. Kurse, shenjat e parë tregojnë se administrata e Trumpit nuk e ka ndërmend të ndërrojë politikat e saj në raport me Kosovën. Ndërkohë, në Kosovë e më gjerë e marrin për të vërtetë edhe një lajm satirik që flet për prejardhjen shqiptare të presidentit amerikan, çfarë e bën të sigurt pro-shqiptarizmin e tij. Por, pas gjithë kësaj, ushtria mbeti prapë peng.

Nëpër kafenetë e Prishtinës diskutimet s’kanë të sosur. Larg nga Mitrovica, e shumë më larg nga ShBA’ja, vazhdon vlugu i mendimeve që hidhen në sulm të njëra tjetrës.

Duke ndjekur parimin që për çdo gjë “kurrë mos thuaj kurrë”, bëhet thirrje pa luajtur vendi që të jemi të gatshëm për çdo rastësi, të këndshme e të pakëndshme. Muri u diskutua shumë. Treni po ashtu. Edhe për ushtri dhe luftë u tha boll.

Por, po harrohet ose mbase po ngurohet të thuhet se e ardhmja jonë është peng.

Këtu është e rëndësishme, që ngadalë, por sigurt, ka filluar të pranohet se të gjitha këto janë pasoja të dialogut të padrejtë e të pabarabartë me Serbinë. Pikërisht ky proces i tejzgjatur, me gjithë këto dëme, po e mbanë të ardhmen tonë peng.

Kështu, nëse vetëm i vazhdojmë muhabetet në kafenetë e Prishtinës, mund të mbesim krejt pa të ardhme. Me duar në xhepa.

Kurse, edhe në një gjendje të atillë, dialogu në Bruksel mund të jetë duke u zhvilluar. Larg kafeneve të Prishtinës, vazhdohet të flitet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e për rrugën europiane të tyre.

(Autori është zyrtar për media në Lëvizjen Vetëvendosje) 

 

Shpërndaje në: