Peja vendos përfundimisht të luajë nesër kundër Trepçës
Klubi basketbollistik, Peja ka vendosur që ta zhvillojë ndeshjen e nesërme gjysmëfinale ndaj Trepçës, ndonëse fillimisht e kishin lënë pikëpyetje këtë pjesë.
KB Peja u dënua me 7 mijë euro gjobë dhe me dy ndeshje pa praninë e tifozëve, pas incidenteve që ndodhen në ndeshjen e tretë gjysmëfinale mes Pejës dhe Trepçës, e cila u zhvillua të dielën në palestrën “Karagaçi”.
Por, tani Komisioni Arbitrar i FBK-së ka vendosur ndryshe prej Komisionit të Garave.
Ndërkohë, tani bëhet e ditur se Peja do të luajë, kurse 750 tifozë do të jenë brenda në palestër.
Drejtori sportiv i KB Pejës, Arbër Elshani tha se 750 tifozët të Pejës do të lejohen brenda palestrës “Karagaçi”, kurse klubi ka bërë një “zgjidhje” edhe për tifozët tjerë.
Ai në profilin e tij në Facebook njoftoi se do të vendoset një projektor jashtë palestrës për tifozët pejanë, për ta përcjellur ndeshjen ndaj Trepçës.
“Hajde Peja, shihemi n’Karagaq nesër. Reth 750 persona lejohen n’palestër, tjerët në projektor jashtë palestrës. Kërkoj mirëkuptimin tuaj, kaq kishim mundësi të bënim në bishtin e lugës”, shkroi ndër tjera Elshani.