Pediatri kosovar godet shuplakë vajzën dyvjeçare të mërgimtares nga Norvegjia

Periskopi.com Lajme

Gjatë ditës së djeshme (7 gusht), në ordinancën private pediatrike “Fëmiu” në Mitrovicë, pediatri dhe pronari i kësaj ordinance, Rrahim Merovci, po akuzohet se ka rrahur fëmijën 2 vjeç të një qytetareje nga Kosova që jeton në Norvegji.

Sipas nënës së vajzës, Flutura Lekiqi dhe tezes së saj N.V, e gjitha ka ndodhur gjatë trajtimit të vajzës nga ana e pediatrit Merovci, i cili e ka goditur vajzën shuplakë, sepse ajo e ka kundërshtuar me këmbë gjatë kontrollit mjekësor. E për ta bërë edhe më tragjik rastin, sipas nënës së vajzës, mjeku e kishte arsyetuar veprimin e tij të dhunshëm duke thënë se vajza e saj dyvjeçare ishte e paedukatë.

Periskopi ka kontaktuar me Flutura Lekiqin, nënën e dyvjeçares që ka pësuar nga pediatri nga Mitrovica. Ajo ka shpjeguar në detaje të gjithë rastin. Tregon se si Merovci e kishte goditur me shumë fuqi dyvjeçaren, pasi ajo, sikur fëmijët tjerë, kishte shkelmuar me këmbë derisa ai ia ka kontrolluar frymëmarrjen.

“Rasti ka ndodhur dje rreth orës 17:00. Unë jetoj në Norvegji qe 27 vite dhe vajzën e kam qe dy vjet, pas 13 viteve martesë. Zakonisht, unë sa herë kam ardhur në Kosovë kurrë nuk kam shku te mjeku, edhe nëse kam qenë smutë, sepse t’u dëgju këso rastesh s’kam mundur të shkoj. Mirëpo m’u tekën të gjithë për ta dërgu te ky pediatri (Rrahim Merovci) dhe thonin se është mjek i mirë. Pasi shkuam atje vajza e kishte temperaturën 40.4. Pasi nisi mjekimin, vajza nisi me shkelmu me kambë dhe e kundërshtonte mjekun, ndërsa mjeku fliste në telefon përgjatë mjekimit, e vajza qante. Kur e kreu telefonatën i futi në veshë pajisjet për ta kontrollu ndërsa vajza vazhdonte me shkelmu dhe e ka goditë pak mjekun ose motrën, nuk e di mirë. Pas kësaj, mjeku është ngritë në kambë dhe me krejt fuqinë që e ka, ia ka mëshu shuplakë dhe i ka bërtitë ‘bre pise’”, rrëfeu Lekiqi.

Lekiqi ka treguar edhe për reagimet e saj dhe të tezes së saj, pasi që Merovci e kishte goditur me shuplakë të bijën e saj. Sipas saj, vajza kë pësuar traumë nga ky rast dhe gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar edhe më shumë.

“Jam stepë në atë moment dhe e shikoja tezen time. Tezja ime i tha “zoti të marroftë, qysh e bane këtë punë!”, e unë jam ngritë në kambë dhe i kam thanë “ti i thu vetes doktor, por ti qenke kafshë. More idiot!”. Përderisa ne dilnim jashtë për të shku në polici, mjeku doli jashtë duke shajtë dhe duke na thënë “çfarë edukate është kjo, me i eduku fëmijët me qit shkelëm”. Vajza 2 vjeç, paramendo. Gjatë kohës sa kemi shku në Polici, vajza ka qenë e traumatizuar, ka qajtë gjatë gjithë kohës dhe gjatë gjithë kohës i përsëritke këto fjalë “veshi”, “faqja”, “njeri”, tha nëna e vajzës Flutura Lekiqi.

Përkundër se rasti është paraqitur në Polici, i kontaktuar nga Periskopi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës nga rajoni i Mitrovicës, Avni Zahiti tha se nuk mund ta konfirmoj rastin. Mirëpo, nëpërmjet burimeve, Periskopi ka kuptuar se rasti është paraqitur në Polici, por nuk ka marrë ende status të qartë.

Lidhur me rastin Periskopi ka kontaktuar edhe me pediatrin Rrahim Merovci.

Ai ka konfirmuar se është ftuar për intervistim nga Policia, por ka refuzuar të deklarohet më gjatë.

Pediatri Rrahim Merovci

“Ato e kanë paraqitur rastin në Polici. Mua më kanë ftuar që të jap deklaratën time, e kam dhënë dhe nuk deklarohem më shumë”, i tha Periskopit pediatri Merovci.

Edhe tezja e Fluturës, N.V, ka folur për Periskopin, sepse edhe ajo bashkë me bashkëshortin e saj ishin në ordinancën ku ka ndodhur rasti. Ajo me bashkëshortin, e kishin transportuar Fluturën për ta mjekuar vajzën e saj 2 vjeç.

“Shkuam, unë si teze e saj i dërgova me veturë në ordinancë. Duke e kontrollu pacienten dyvjeçare me pajisjet për kontrollim të frymëmarrjes, të cilat janë të ftohta dhe reagojnë të gjithë fëmijët, edhe vajza jonë e pengon me këmbë doktorin derisa e kontrollonte. Në atë moment u ngrit në këmbë, derisa unë mendoja se ka synim ta rehatojë vajzën, por e ka goditur fuqishëm me shuplakë në anën e majtë. Faqja, veshët në të gjithë pjesën e majtë të fytyrës kanë mbetur pesë gishtat e doktorit. Aq shumë është ra në shok nëna e saj (Flutura), nuk ditëm si të reagojmë, u stepëm duke e shiku njëra-tjetrën. Pastaj, nëna dhe vajza ia kanë fillu me qajtë shumë. Nëna e vajzës i tha “more idiot, si guxon ti vajzën time me rrahë, e dul doktori dhe i tha “Po shihet kultura e saj, qysh e paskeni mësu me qitë me kambë”, tha tezja e Fluturës për Periskopin.

Ajo tha se bashkë me Fluturën dhe bashkëshortin e saj kanë shkuar në Polici, ku e kanë fotografuar vajzën dhe më pas e kanë dërguar në spital për t’ia dhënë ndihmën e parë. Ajo tha se nga policët në stacion u inkurajuan që këtë rast të mos e lënë me kaq dhe ta bëjnë publik, për shkak se edhe fëmijë të tjerë mund ta pësojnë njëjtë. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: