Peci: Kërkesa e Kurtit të intervistohet në Qeveri, sinjal i nënshtrimit të Prokurorisë Speciale
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, duke folur në lidhje me ftesën e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Kurti në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se ftesa e kryeministrisë për intervistimin e Kurtit në ndërtesën e Qeverisë është një absurditet i madh.
“Çfarë më ka bërë përshtypje këtu është ftesa nga kryeministria që kryeministri të intervistohet në ndërtesën e Qeverisë, mendoj se kjo është një absurditet i madh sepse është një lloj sinjali i cili ka të bëjë të nënshtrimit të institucioneve të Prokurorisë Speciale nga një institucion publik çfarë është kryeministria”, tha Peci për RTV21.
Tutje ai thotë se Qeveria dhe Prokuroria Speciale janë dy pushtete të ndara.
“Këto dy pushtetesh janë komplet të ndara dhe secili e ka punën e vetë në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast për mendimin tim është bërë gabim nga ana e kryeministrisë kur është kërkuar që kryeministri të intervistohet në zyrat e kryeministrisë, sepse ku vendi ku intervistohen krejt dëshmitarët dhe të dyshuarit është prokuroria, aty e ka vendin”, tha Peci.
Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari tha se shpreson që Kurti do të reflektojë dhe do të dakordohet që të gjendet një moment i përshtatshëm për ta kryer këtë obligim.
”Jam optimist që kryeministri do të reflektojë dhe do të dakordohen që ta gjejnë një moment të përshtatshëm që ky obligim të kryhet në pajtim me përgjegjësitë ligjore që kanë të dyja institucionet”, tha ndër tjera Bajraktari.
Ai ka thënë se nga ftesa e Prokurorisë Speciale nuk është i liruar askush përfshirë këtu edhe kryeministrin Kurti.
”Afate strikte ligjore nuk ka, ka afate mrena të cilave duhet të përmbyllet votimi që është brenda dy viteve”, tha Bajraktari.
Ai tutje ka shtuar se kryeministri nuk është imunë ndaj ftesës së Prokurorisë.