‘Peceta nuk është luks’: Ministrit Murati i dorëzohet 7500 nënshkrime për heqjen e taksës për produktet menstruale
Organizata “QIKA” ka mbajtur sot një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kanë kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, heqjen e taksës për pecetat menstruale.
Aty është dorëzuar peticioni me shtatë mijë e 500 nënshkrime për heqjen e taksës 18 për qind për pecetat.
Përfaqësuesja Medina Dauti tha se pasojat ekonomike po prekin gratë, sidomos ato nga familjet e varfra.
“Ministër dil nënshkruaje! Sot, ministrit Hekuran Murati ia sollëm 7,500 nënshkrimet e peticionit “Peceta nuk është luks” për t’ia kujtuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës që vitin e kaluar kanë kërkuar heqjen e taksës prej 18% për produkte menstruale. Simbolikisht, ia sollëm edhe vendimin që Murati do të duhej të kishte vetë guximin dhe vullnetin që ta hartonte. Taksimi i produkteve menstruale është seksist. Shteti po takson funksionimin normal fiziologjik te grave dhe të gjithë personave që menstruojnë. Menstruacionet nuk janë zgjedhje, as higjiena menstruale nuk është luks, e si te tilla nuk mund te taksohen.” – ka thënë ajo, sipas “EO”.
Ajo ka theksuar se Murati nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje, derisa i kërkoi sërish ta nënshkruajë vendimin.
“Ministër, nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos flasësh mbi varfërinë menstruale. Ajo ekziston. QIKA beson se taksa e cila thellon pabarazitë gjinore ekzistuese ishte antikushtetuese dhe e kundërligishme, andaj duhet te largohet menjëherë. Arsyetimin politik, bazën ligjore, lapsin, të gjitha i ke këtu. Ministër merre guximin e dil nënshkruaje vendimin.” – u shpreh Dauti.