PDK kundër shtrenjtimit të energjisë, paralajmëron kundërshtim ligjor të vendimit

PDK kundër shtrenjtimit të energjisë, paralajmëron kundërshtim ligjor të vendimit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se paralajmërimi për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike do t’i dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset në vend dhe partia që e përfaqëson do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim. 

Në konferencën për media të mbajtur të dielën, Shala ka thënë se qeveria aktuale duhet të ndalojë menjëherë këtë politikë, që sipas tij është e dëmshme, si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve, raporton Periskopi.

“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët. Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktimat e radhës të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se në pesë vjetët e fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur disa herë me shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, të cilin kjo qeveri nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta ndalur.

“Përkundrazi, duke u fshehur pas terminologjisë së ‘liberalizimit të tregut’, ajo po e shtyn një skenar të rrezikshëm që rëndon mbi familjet dhe ekonominë e vendit”, ka thënë Shala.

Shpërndaje në: