PDK-ja në Ferizaj: Krasniqi i kërkon Aliut “sallë trefish më të madhe”

PDK-ja në Ferizaj: Krasniqi i kërkon Aliut “sallë trefish më të madhe”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vazhdoi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim në qytetin e Ferizajt.

Numër i madh i qytetarëve iu bashkuan këtij tubimi, me krerët e PDK-së që pretenduan përkrahje të fuqishme nga qytetarët e kësaj komune për këtë subjekt politik.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij para të pranishmëve, e cilësoi këtë pjesëmarrje si dëshmi të entuziazmit dhe përkushtimit të qytetarëve për të ardhmen e përbashkët.

Duke iu drejtuar kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut, Krasniqi u shpreh me humor, por edhe me një mesazh simbolik: “Kryetar, kërkoj edhe nga ju që tëndërtoni një sallë trefish më të madhe”.

Kësaj kërkesë iu përgjigj kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza: “Po i them kryetarit se kryetari nuk do ta bëjë më të madh vetëm, por do ta bëjmë bashkë. Por, jam i sigurt se kjo kërkesë e juaja, e më pas ky obligim i imi, do të vazhdojë edhe në qytetet tjera të Kosovës, sepse kjo frymë e fitores në Prishtinë dhe sonte këtu në Ferizaj do të vazhdojë në tërë Kosovën.”

Krasniqi shtoi më tej se Partia Demokratike e Kosovës është parti e “Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe që siç u shpreh Krasniqi, e ka në ADN, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.”

“Kjo është partia e së kalurës tonë të lavdishme, e së tashmes tonë krenare dhe mbi të gjitha, partia e së ardhshmes premtuese, për një Kosovë më të mirë për secilin qytetarë të vendin tonë, anë e mbanë, se kjo është partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo është partia që e ka në ADN, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kjo është partia shtetformuese dhe shtetndërtuese”, tha ai.

Shpërndaje në: