Pasi vdes jeta kulturore ‘Gazetarja e kulturës vetëvritet’

Pasi vdes jeta kulturore ‘Gazetarja e kulturës vetëvritet’

Shfaqja “Gazetarja e kulturës vetëvritet”, erdhi me tekst të Idlir Azizajt e regji të Alban Beqiraj, me jetësimin e personazheve nga tre aktorët si: Donikë Ahmeti, Afrim Muçaj dhe Daniela Markaj.

Sarandë Selimi
Fotografitë: Gerolld Nikoliqi

Krejt në fund ajo u vetëvra. E aktorja plakë, mbeti duke e pritur që të shkoj ta intervistoj, por kjo nuk ishte e mundur “Gazetarja e kulturës vetëvritet”. Ishte kjo premiera e radhës, e cila u dha mbrëmë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja “Gazetarja e kulturës vetëvritet”, erdhi me tekst të Idlir Azizajt e regji të Alban Beqiraj, me jetësimin e personazheve nga tre aktorët si: Donikë Ahmeti, Afrim Muçaj dhe Daniela Markaj.

Kjo dramë atipike ka në qendër e në thelb vetë figurën e aktorit. Nëpërmjet zhbirimit të figurës e të rolit të aktorit si ndërmjetës mes tekstit dhe publikut, pjesa nis e prek disa detaje shqetësuese të defekteve sociale e konceptuale shqiptare sot. Nisur nga kumti shekspirian, që e shihte botën si skenë, këtu teatri bëhet vetë skena e jetës, e memories dhe e keqpërdorimit të saj, e aksionit njerëzor dhe keqpërdorimit të tij.

“Mendoj që shfaqja si shfaqje ka për temë aktorin, teatrin shqiptarë, kinematografinë shqiptare dhe mendoj që i është përshtatur një institucioni siç është Teatri Kombëtar. Para pesë vitesh kam nis ti lexoj romanet e Idlirit, një autori nga Vlora që jeton në Paris dhe trajton problemet aktuale të Shqipërisë. Nga aty, hasa tek ky tekst “Gazetarja e kulturës…”, dhe meqë tema ishte auktori shqiptarë mbërritëm ti gjejmë disa figura dhe arritëm të vendosim një monolog ku aktorët që janë tre në skenë të arrijnë ta plotësojnë njëri tjetrin përtej këtij kualiteti klasik. Gazetarja lidhet me kronikën e zezë në Shqipëri e Kosovë që ndoshta në mungesë të artit kulturor shpirti i saj fillon e tretet diku”, tha për KultPlus, pas përfundimit të shfaqjes regjisori Alban Beqiraj.

Kjo shfaqje mblodhi një audiencë goxha të madhe dhe ulëset në skenën e vogël nuk ishin të mjaftueshme. Duartrokitjet nuk munguan, e as fjalët e profesionistëve në lidhje me këtë premierë.

“Mendoj se qasja regjisoriale karshi kërkesave ka dominuar në kontekstin e mbindërtimit. Unë e vlerësoj këtë rast regjisorin sepse nga një tekst narrativ – letrar pa shtrirje e përthurje dramaturgjike – dialog mirëfilli apo karaktere me biografi ka krijuar emocion gjersa ka rrëfyer në mes dokumentarit dhe asaj që quhet fitil teatror! E ka mbajt në podium frymën skenike duke eksploruar forma mes fjalës së fort dhe ngjyrimeve vizuele, për të ndikuar mbi monotoninë që do të mund të shkaktonte teksti, ka provuar poashtu zhanre brenda rrjedhës dhe mundësive që prodhon teksti”, u shpreh për KultPlus, regjisori Naser Shatrolli, i cili vazhdoj të thotë se meritor janë dhe aktorët meqë e kanë mbajt gjendjen në kontroll, duke krijuar situata të qëndrueshme, atraktive dhe të përmbajtura.

“Teksti ishte ai që dëgjuam, unë e vlerësoj regjisorin skajshmërisht. E uroj për disiplinën sidomos, këtë faktorë të tij e pashë në sytë e aktorëve”, tha tutje Shatrolli.

Aktorët u shprehën të kënaqur me atë që kanë sjellë para publikut, edhe pse ka qenë një tekst goxha sfidues për ta.

“Mendoj që kemi bërë një punë të madhe dhe si rezultat i kësaj pune kemi arrit të i servojmë publikut një shfaqje interesante. Jemi munduar të sjellim një formë ndryshe të të bërit teatër dhe kjo edhe për mua si aktor ka qenë goxha sfiduese, dhe ka kërkuar shumë koncentrik dhe punë të madhe”, theksoi aktori Afrim Muçaj.

Ndërsa për aktoren Donikë Ahmeti ka qenë një proces shumë i mirë. Ajo për KultPlus, tha se që nga momenti i parë që ka lexuar tekstin i ka pëlqyer shumë përmbajtja e tij.

“Më ka pëlqyer se si një autor shqiptarë e ka shkruar një tekst që e tejkalon kohën dhe mënyrën se si duhet të bëhet arti”, pohoi Ahmeti.

“Gazetarja e kulturës vetëvritet”, mbrëmë dha premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke i lënë hapësirë tashmë dy reprizave të para të saj./KultPlus.com

Shpërndaje në: