Pasi u dëbua nga Australia, Djokoviq niset për në Beograd nga Dubai
Tenisti serb, Novak Gjokoviq, hipi në një fluturim për në Beograd nga Dubai të hënën, pasi mbërriti atje më herët gjatë ditës.
Gjokoviq kishte mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi dëbimi i tij nga Australia për shkak të vaksinimit të kërkuar kundër COVID-19 i dha fund shpresave të tenistit të renditur në kategorinë 1 për meshkuj, për të mbrojtur titullin e tij në “Australian Open”.
Tre gjyqtarë të Gjykatës Federale të dielën dolën në anën e vendimit të Ministrit të Emigracionit, Alex Hawke, për anulimin e vizës së Serbit për arsye të interesit publik, shkruan Apnews.
Menjëherë pas vendimit, agjentët federalë shoqëruan Gjokoviqin në aeroportin e Melburnit, ku ai hipi në një aeroplan me destinacion Dubain e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Para largimit të tij, Gjokoviq tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i gjykatës australiane, por tha se e respektonte vendimin.