Pasi doli nga burgu tentoi ta vriste fqinjin, kush është shqiptari që humbi jetën në qeli 9 ditë pas arrestimit
Angrea Bregasi, 33-vjeçari nga Tirana, i cili humbi jetën sot në burgun e Fushë Krujës për shkak të një arresti kardiak, kishte pak ditë që ishte kapur nga policia.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ai ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte nisur trajtimin nga stafi mjekësor që synonte të ndihmonte në rehabilitimin e tij dhe në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Bregasi po vuante dënimin e tij si autor i ngjarjes në Don Bosko, më 14 dhjetor 2023, ku tentoi të vriste fqinjin e tij, duke qëlluar më armë zjarri drejt automjetit të tij.
Në atë kohë, 33-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu, i arrestuar për grabitje me armë.
Policia vendosi 5 mijë euro shpërblim për çdo informacion që do të çonte në kapjen e tij dhe si përfundim e arrestoi më 11 korrik 2024, pra nëntë ditë më parë.
Ai u kap në hyrje të një pallati dhe gjatë kontrollit në çantën e tij, policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.
Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg nga Gjykata e Durrësit, i akuzuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë dhe mbajtje e armës pa leje.