Pas vizitës së shefit të CIA’s në Sarajevë e Beograd, Vuçiq pret Dodikun

Pas vizitës së shefit të CIA’s në Sarajevë e Beograd, Vuçiq pret Dodikun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të enjten në Beograd presidentin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

“Një bisedë shumë e mirë me presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik. Takimi u dominua nga temat ekonomike, por bëmë edhe një analizë të përbashkët të çështjeve globale dhe rajonale”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Një temë ishte edhe lufta kundër migrimit të paligjshëm. Presidenti Dodik dhe unë i kushtuam vëmendje të veçantë lidhjes infrastrukturore, rrugore, hekurudhore dhe energjetike midis Serbisë dhe Republikës Sërpska”, shtoi Vuçiq.

Takimi midis dy zyrtarëve vjen një ditë pasi drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA), William Burns, qëndroi në Beograd. Paraprakisht, ai vizitoi edhe Sarajevën.

Askush prej zyrtarëve në Serbi dhe në SHBA nuk e konfirmoi e as mohoi vizitën e Burnsit, ndërsa nga CIA i thanë Radios Evropa e Lirë se “nuk e komentojnë orarin e udhëtimeve të drejtorit”.

Në Sarajevë, Burns u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, me anëtarë të Presidencës, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.

Të enjten, Burns po qëndron në Kosovë. /REL/

Shpërndaje në: