Pas tubimit me gra, Abdixhiku takim me të rinjtë e LDK’së: Jeni organizimi më i madh rinor në Ballkan
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas tubimit që kishte me Forumin e Gruas, ka pasur tubim edhe me Forumin Rinor.
Këtë organizim rinor, ai e cilësoi si më të madhin në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Forumi i Rinisë, kjo forcë e krenarisë”, e ka përshkruar Abdixhiku organizmin rinor të LDK-së.
“Për ta thënë qartë, për ta thënë thjeshtë, për ta thënë zëshëm, për ta thënë krejt në fillim, nuk ka asnjë dyshim se jeni organizmit më i madh rinor po se po në Kosovë, po se po mes shqiptarëve, po se po dhe pa asnjë diskutim, organizmi më i madh rinor në gjithë Ballkanin Perëndimor. Forumi i Rinisë, kjo forcë e krenarisë. Shtytëse e gjithë “Turneut për Ndryshim”! Të pakrahasueshëm. Të papërsëritshëm! Të pandalshëm”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku thotë se këto zgjedhje janë më shumë se garë politike.
“Janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit”, shton ndër tjerash Abdixhiku.
“Për ne, këto zgjedhje janë më shumë se garë politike – janë refuzim kategorik ndaj dështimit të shtetit, dhe hap i guximshëm drejt ndryshimit të vërtetë! Sepse Kosova nuk mund të përballojë më dështime. Ne nuk mund ta lejojmë më largimin e të rinjve nga vendi. Prandaj, koha për ndryshim është tani! Fryma e fitores dhe përbashkimit po përhapet në gjithë Kosovën, dhe kjo valë po udhëhiqet nga ju – të rinjtë e Kosovës dhe të LDK-së! Bashkë po e ndërtojmë një lëvizje të shpresës dhe zhvillimit që nuk mund të ndalet! Ju falemnderit për energjinë, vendosmërinë, dhe përkushtimin tuaj. Bashkë, do të bëhemi ndryshimi i domosdoshëm në vendin tonë”, ka thënë ai.