Pas skandalit, Facebook me masa të reja për mbrojtjen e të dhënave personale
Facebook ka bërë të ditur se do të marrë masa shtesë për të mbrojtur më mirë të dhënat personale të përdoruesve, pas skandalit “Cambridge Analytica” që goditi rrjetin e fuqishëm social.
Kompania e Mark Zuckerberg përmes këtyre ndryshimeve synon që parametrat e privatësisë të jenë më të lehta për t’u gjetur dhe përdorur.
“Përveç njoftimeve të bëra javën e kaluar nga Mark Zuckerberg, ne do të marrim masa shtesë në javët e ardhshme për t’u dhënë më shumë kontroll përdoruesve mbi të dhënat e tyre personale”, shkruan ky rrjet, që numëron më shumë se dy miliardë përdorues.
Pjesa më e madhe e këtyre përditësimeve janë parashikuar shumë shpejt dhe ngjarjet e ditëve të fundit vetëm kanë rritur rëndësinë e tyre.
Pas shpërthimit të skandalit, përfaqësuesit e kompanisë janë ftuar që të dëshmojnë në kongresin amerikan.