Pas shumë vitesh, një “betim i madh” bëhet në Kullën e Jabllanicës – Lahi Brahimaj ndan emocionet
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj ka takuar bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e tij në fshatin Jabllanicë, aty edhe ku u lind e u rrit.
Ai thotë se në atë kullë kur dikur u dëgjua betimi për liri, sonte u dëshmua një betim i ri.
Jabllanica jonë e dashur është vendi ku çdo pllambë tokë ruan histori të pathëna heroizmi. Këtu u linda, u rrita dhe mësova vlerat më të çmuara të jetës – besnikërinë, trimërinë dhe atdhedashurinë. Në këtë vatër të pathyeshme të qëndresës, çdo familje mban në gjoks plagën e sakrificës – çdo familje ka të paktën një dëshmor që dha jetën për lirinë e Kosovës në periudha të ndryshme.
Sonte në kullën ku dikur, si vëllezër të armëve planifikonim rrugën drejt lirisë – prita me krenari bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e mi. Këto mure që dikur dëgjuan betimin tonë për liri, sonte dëshmuan një betim të ri”.
Brahimaj thotë se u pushtua nga emocioni kur pa se ata që i qëndruan afër në ditët më të vështira, sot i japin besimin dhe mbështetjen e tyre të plotë për një betejë të re – përfaqësimin e zërit të tyre në Kuvendin e Kosovës.
“Si dje në luftë, ashtu dhe sot në paqe, betimi im mbetet i njëjtë: t’i shërbej me përkushtim popullit tim dhe të punoj pa pushim për një Kosovë më të mirë për të gjithë.
Jabllanicas, ju faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut. Ju faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme”, shkruan më tej Brahimaj.