Pas SHBA-së dhe BE-së edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri
Policia e Kosovës të hënën ka realizuar një aksion në veri, ku ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë. Siç informuan zyrtarët policorë, në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Por, ky aksion nuk u mirëprit nga ndërkombëtarët, të cilët po i cilësojnë si veprime të njëanshme nga Qeveria Kurti.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në platformën “X”, thotë se hapat e njëanshëm bien ndesh me marrëveshjet e arritur në dialog.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thotë mes tjerash ambasadori Rohde.
Kundërshtime për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë kanë pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa të njëanshëm, dhe se këto çështje duhet diskutuar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.