Pas publikimit të videos ekskluzive në Periskop, reagon politikani serb Boban Bogdanoviq
Politikani serb, Boban Bogdanoviq, ka dërguar një reagim në adresë të Periskopit, pas publikimit të lajmit: “Ekskluzive: Politikani serb që u takua me kryeministrin Albin Kurti, filmohet duke konsumuar substanca narkotike”.
Në reagimin e tij, z.Bogdanoviq pretendon se video e publikuar në mediumin tonë është videomontazhë dhe ‘është përpjekje për ta luftuar atë politikisht’.
Ky është reagimi i plotë i z.Bogdanoviq dhe në fund të këtij reagimi, po e publikojmë edhe një sqarim të Redaksisë tonë lidhur me lajmin:
Reagimi i Bogdanoviq:
Të nderuar,
Në përputhje me ligjin për informim të Republikës së Kosovës, ju lutem të publikoni reagimin dhe adresimin tim të plotë për publikun kosovar në portalin tuaj, lidhur me publikimin e një video të rreme e cila është dërguar në redaksinë tuaj.
Portali juaj Periskopi dje publikoi një videomontazh të njohur më mirë si “deep fake”, me cilësi katastrofike, ku dyshohet se konsumoj opiate me titullin:
“Ekskluzive: Politikani serb që u takua me kryeministrin Albin Kurti, filmohet duke konsumuar substanca narkotike (VIDEO)”
Autori i këtij “deep fake” ka keqpërdorur redaksinë tuaj për të më diskredituar mua dhe agjendën politike të lëvizjes Odgovor(Përgjigje), kryetar i së cilës jam dhe që respektohet nga shumë qytetarë të Kosovës, parti politike dhe komunitetin ndërkombëtar.
Shumë struktura kriminale dhe të sigurisë, veçanërisht nga veriu i Kosovës, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me politikanë të caktuar të Kosovës, nuk janë të kënaqura me zgjidhjen përfundimtare dhe marrëveshjen ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të siguronte paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, përparimin ekonomik të Kosovës, si dhe integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës.
Përpjekje të tilla dashakeqe nuk do të më pengojnë dhe nuk do të më dekurajojnë, por do të më motivojnë edhe më shumë në luftën tonë të përbashkët për një shoqëri moderne demokratike, bashkëjetesë dhe partneritet të fortë të shqiptarëve dhe serbëve, anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Sqarim i Periskopit:
Video që ka arritur në adresën tonë të Redaksisë, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga logjistika jonë teknike (montazha) përveç logos së vendosur në video.
Kjo video që ka arritur në redaksinë tonë, është publikuar në kontekstin e informacionit dhe nuk ka pasur ndonjë tendencë ndaj kujtdo.
Ne vlerësojmë dhe respektojmë angazhimin e gjithë politikanëve – pavarësisht se cilit komunitet i takojnë, për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. /Periskopi